Tregtarët e fruta-perimeve në Durrës kundër transferimit të tregut, dalin në protestë: Të shtyhet për në shtator

Tregtarët e fruta-perimeve kanë dalë në protestë paraditen e sotme në Durrës, duke kundërshtuar lëvizjen e tregut.

Për shkak të rikonstruksionit të tregut në lagjen 12 tregtarët duhet të largohen tregun që t’i hapin rrugë punimeve.

Tregtarët protestues shprehen se vendi që u ka caktuar bashkia për të ushtruar aktivitetin është i papërshtatshëm, pasi nuk plotëson asnjë kusht higjenik për tregtimin e fruta-perimeve.

Në treg operojnë rreth 500 tregtarë, të cilët sot kanë kërkuar përgjigje zyrtare nga bashkia. Ata kërkojnë që nëse është i domosdoshëm transferimi, të bëhet në 6 pika të qytetit dhe të shtyhet për në shtator kur është më freskët.

Bashkia zyrtarisht bën me dije se tregu do rikonstruktohet dhe shpërngulja do të jetë provizore vetëm tre muaj sa zgjat rikonstruksioni.

SHKARKO APP