Trëndafila për 51 viktimat! Studentët nisin mësimin me përkujtimin e viktimave të tërmetit

Studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu kanë nisur procesin mësimor këtë të hënë që pas ndërprerjes për shkak të tërmetit. Ky proces ka nisur ndryshe.

Ata mbanin në duar 51 trëndafila të bardhë për 51 viktimat e tërmetit, që shkaktoi tërmeti i datës 26 nëntor. Në nderim të 51 viktimave të tërmetit kanë qenë studentët që ndihmuan si vullnetarë gjatë këtyre 14 ditëve të rënda për Durrësin e banorët e tij, të cilët ideuan nismën e 51 trëndafilave të bardhë.

Në ceremoninë homazh në kujtim e nderim të viktimave të kësaj katastrofe u shpreh solidariteti i thellë me familjet që në tërmetin e 26 nëntorit kanë humbur njerëzit e tyre të dashur. Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Kseanela Sotirofski, vlerësoi dhe vullnetarizmin e studentëve në këtë fatkeqësi që u shndërrua në shembull humanizmi, forcë dhe shpresë.

Pas kësaj ceremonie, studentët iu rikthyen auditorëve në kampusin universitar, ku godinat janë vlerësuar nga ekspertët si të sigurta.

SHKARKO APP