Trifon Xhagjika, 52 vjet pa varr dhe histori
Nga Mero Baze
Sot mbushen 52 vjet nga pushaktimi i Trifon Xhagjikes, nder poetet e paket ne Lindjen ish- komuniste, te pushkatuar per nje veper letrare.
Kemi dy detyrime të mëdha, gjetjen e trupit të pushkatuar të Trifon Xhagjikës dhe gjetjen e poezive të dënuara të tij.
Zëvendësministrja Genta Sula, që merret me dhimbshuri dhe pasion me të zhdukurit dhe dënuarit e komunizmit, më dha shpresa disa ditë më parë, se kërkimet për të zhdukurit do financohen nga një program ndërkombëtar që zbulon ADN e kockave përmes një bombardimi me rreze, në varrezat masive. Të dyja mungojnë që prej vitit 1963. Trupi i tij është parë për herë të fundit para togës së pushkatimit, ndërsa poezitë e tij janë parë për herë të fundit në duart e trupit gjykues. Për gati 40 vjet, familjes dhe miqve të tij u mungojnë të dyja: trupi i tij i pajetë dhe jeta e patrupëzuar e tij.
Përpara nesh kemi disidencën tragjike të Trifon Xhagjikës, ende e pasistemuar. Ajo nuk ka as varr, as dosje dhe as memorial.
Në duart tona kanë mbetur shumë pak poezi, një ese dhe disa relike të poetit. Në vitin 2002, ndërsa motra e tij Santa ishte ende gjallë, së bashku me dy vëllezërit e tij, Yllin dhe Tashon, unë mblodha gjithë poezitë e tij që kishin shpëtuar dhe përmes redaktimit të Agron Tufës, bëmë botimin më të plotë të poezive të tij nga gazeta Tema, përveç një përmbledhje që kishte dal në vitin 1992. Të tjerat nuk i kemi gjetur dot. I ka marrë me vete në vitin 1963 rreth 52 vite më parë.
Disidenca e Trifonit
Një ditë ai po bisedonte me vëllain e vet, kur befas i tha: “Ylli, ne do të na fusin në burg, do të na përdorin si argatë dhe kur të na çojnë në minierë, do të na japin një lugë vaj për të mbajtur shpirtin”.
Ishte një shpërthim i tij, për të cilin askush nuk e qortoi. As ai nuk e hapi më atë bisedë. Më vonë, kur ai shoqërohej me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Nezhon, kur dëgjonte Çajkovskin dhe kur shkruante trakte me shkrim dore në 18 kopje, ai filloi të fliste më shpesh. Unë po i rregulloja një ditë kravatën dhe pashë se këmisha ishte e lirë.
-Kur të shëndoshesh, do të të rrijë tamam, – i thashë.”Kur? – më tha, -kur të hyj në burg?!”Kështu një ditë ai erdhi bashkë me Vangjelin në shtëpi dhe përpiqej të ishte
shumë miqësor. Unë po pastroja një abazhur dhe ai fare papritur u ngrit dhe më ndihmoi. Vangjeli po ashtu. Ishte sjellje e çuditshme. Pasi mbarova, i dhashë dorën Vangjelit dhe pashë se kishte një dridhje të brendshme nervore.
“-Erdhëm për kamardaren,” – tha Trifoni. Ishte një kamardare që e kishte sjellë në shtëpi Genci, djali i xhaxha Koços. Trifoni ia kishte kërkuar prej kohësh. Pas pak përcolli Vangielin dhe u kthye.
-Vangjeli nuk m’u duk mirë, – i thashë. – I dridheshin duart dhe m’u duk se digjte. “-Mos! Ç’bëre që nuk ia the në sy! – tha. – E morëm më qafë!”Pasi u soll duke turfulluar nëpër shtëpi, u zbraz. Vangjeli ishte nisur të arratisej me kamardare nga Liqeni i Ohrit. Gruaja e tij kishte qenë ruse dhe me të kishte nje vajzë. Të dyja ishin jashtë. Ai nuk mund të rrinte më. Por në Liqen e kapën dhe përfundoi në burg.
Ata kishin mbetur pak. Në fillim ishin shtatë. Trifoni me Fadil Kokomanin, Vangjel Nezho, Stavri Rafaeli e vëllai i tij dhe Ivan Cani, një inxhinjer i martuar edhe ky me një ruse. Trifoni e ndiente shtrëngimin e lakut. Më duket se dikush na raporton, tha një ditë.
Për Vangjelin nuk dyshonte kurrë. As për Fadilin. Traktet i shpërndau vetë. Më vonë në gjyq i treguan tri copë prej tyre që ai nuk mundi t’i shpërndante. Kur iu bë gjyqi, vetëm Trifoni u dënua me vdekje. Fadili vdiq në revoltën e Spaçit në vitin 1973. I vetmi që është ende aktiv dhe i gjallë është Ivani. Por ai nuk kujton asgjë. Ndoshta as Trifonin.
Arrestimi i Trifon Xhagjikës
Santa Xhagjik, motra e Trifonit, e fundit që është ndarë me të nga kjo jetë ma ka përshkruar momentin e arrestimin e tij.
“Ai hyri brenda dhe kërkoi t’i bëja gati kostumin ushtarak, atë me grada. Më tha se do të nisej për Vlorë me shërbim. Pas pak më tha t’i bëja gati edhe kostumin civil. Ta kishte edhe atë me vete. Unë po qëndisja një spirancë, ngaqë atë ditë do të pagëzonim djalin e vëllait dhe Trifoni ishte “Nun”. Ndërkohë që bëja gati rrobat, ai më tha se nuk do të ishte te pagëzimi.
Ylli, vëllai i tij, ishte në Durrës, mjek në Kavalishencë, ndërsa vëllai tjetër në Ulëz, në Hidrocentral. Ai i bëri gati rrobat, më puthi dhe u mat të ikte. Unë zakonisht e përcillja deri jashtë portës, por ai m’u lut mos ta përcillja se kishte “makinën e punës jashtë”. Dhe mua m’u mbajtën këmbët. Unë vazhdova punët e shtëpisë e qetë.
Të nesërmen ishte e diel. Gazeta “Bashkimi” kishte botuar diçka për mua. Vëllai erdhi nga Ulëza dhe më tregoi gazetën. I hodha një sy dhe e lashë në vend. Filluan të më ngacmojnë, përse nuk gëzohesha. As vetë nuk e dija përse. Nga dreka, po dëgjoja muzikë në radio. Kur ia behu Paskalina, një shoqja ime, me të cilën Trifoni ishte miqësuar. E vrarë në fytyrë, nxitoi drejt radios dhe ma fiku brutalisht. Nuk më la ta pyesja.
– Trifonin e kanë arrestuar, – tha ajo. Unë e gëlltita tronditjen si një gllënjkë të hidhur loti dhe, e zbardhur në fytyrë nga tmerri, thashë me një pamje që të kujton neutralitetin e të vdekurit se nuk ishte e vërtetë. “Ai tehtë me shërbim”.
-E kanë arrestuar, – tha ajo dhe filloi të vinte rrotull dhomës si e shkalluar. M’u kujtua amaneti i tij se duhet të mbahesha dhe dola në rrugë. Këmbët më çuan në postë. Bëra një lajmthirrje me tezen në Vlorë ku shpresoja se kishte mbërritur Trifoni. Pas një ore, më lidhën. Nuk kishte shkuar. Atëherë thirra vëllain në Durrës Yllin, që ishte mjek në Kavalishencë. As ai nuk ishte atje. I lashë porosi të vinte urgjent në Tiranë dhe të më takonte vetëm mua. Sytë më ishin enjtur nga të qarat dhe syzet ishin mburoja më e mirë e asaj mbasditeje. Ylli erdhi në mbrëmje. Sapo hyri në derë kafshoi buzën, vuri gishtin tregues para buzëve për të më treguar se duhet ta qepja dhe u ul pa ndjenja në kolltuk. Ai ishte arrestuar, sapo më puthi dhe u nda nga unë, një ditë më parë. Tek rruga nuk e priste makina e punës, por prangat e jetës”.
Ylli Xhagjika, doktor shkencash, i diplomuar në Rusi, vëllai i Trifonit është arrestuar vetëm disa orë para pushkatimit të të vëllait. Ndërsa gjyqi mbaroi dhe Trifoni po përcillej në makinë, i lidhur për t’u pushkatuar, ky mjek hoqi kapelen dhe e përshëndeti vëllain duke i kërkuar të ngrejë kokën lart. Kjo është një shenjë e madhe kurajoje.
Sikur në Shqipëri të kishte shumë vëllezër të tillë, do të kishte më pak vdekje prej plumbit. Sikur të kishte më pak vëllezër që distancoheshin nga njëri-tjetri, do të kishte më shumë dinjitet. Sikur të kishte më pak divorce për shkaqe politike, do kishte më shumë fëmijë dinjitozë.
Rikthim te debatet policeske të vjershave
Ku t’i gjejmë tani poezitë e shkruara prej Trifonit në atë kohë dhe të zhdukura?! Një ish-avokatja e tij zyrtare, me emrin Vera, ka dëshmuar dhjetë vjet më parë, se poezitë ia kishin paraqitur në gjykatë si provë armiqësore për terrorizëm.
“Unë e pashë në sy Trifonin dhe m’u duk se folëm” tha ajo. Ato ishin të pafajshme. Po ku shkuan ato?
Nuk bëhet fjalë për vjersha që ishin shkrirë në plumb për t’u faqosur dhe pastaj ishin anulluar, por për vjersha që fshiheshin, se të çonin në plumb!
Ato që i kanë mbetur, i ka ruajtur Tashua, vëllai i madh në derën e një dollapi, të cilën e ka çarë më dysh dhe e ka mbushur me dorëshkrime. Të tjerat, ka shumë shanse, të jenë në Arkiv të Shtetit, apo në Ministrinë e Brendshme. Vëllezërit e mbetur gjallë pas tij, kanë kërkuar, por nuk kanë gjetur gjë.
Lidhja e Shkrimtarëve pas viteve 90-të, më shumë ka bërë debate rreth klubit të qofteve që ka në oborr, se sa për shkrimtarët e varrosur të gjallë e të vdekur. Dikush duhet t’i gjejë këto poezi. Ka shumë pak poetë të vrarë për poezitë e tyre. Trifoni është nga të parët.
Jeta e tij
Trifoni ka lindur në Peshtan të Tepelenës . Shtëpia e tij u dogj nga lufta e dytë italo-greke. Me gërmadhat e tyre para syve janë rritur, pasi ishin vetëm 20 metra larg shtëpisë sime. Në moshën 9-vjeçare, në vitin 1941, ai lë fshatin, ku lindi, dhe u vendos në Tiranë si refugjat, me gjithë familjen, pasi shtëpia në fshat iu dogj. U vendosën fillimisht tek “Rruga e Veriut” në krah të shtëpisë së Beshirëve në Tiranë. Më pas ndërruan disa herë banesë duke u vendosur tej shtëpia e Manol Kumes dhe në fund tek shtëpia e tyre në rrugën “Mine Peza”.
Trifoni u shkollua në Normalen e Elbasanit, pastaj mbaroi një kurs gazetarie e filozofie. Në vitin 1954 mbaroi Shkollën e Bashkuar dhe në vitin 1959 tentoi të fillonte degën Gjuhë-Letërsi.
Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Dhe u mbrujt ashtu gjithë rebelizëm dhe butësi. Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar. Më vonë ka vargëzuar një pjesë të Çajkovskit. Dhe kish thirrur fort “Eja” në një poezi për një vajzë pa emër.
Paskalina, shoqja e tij e ngushtë, nuk ka shtuar diçka për kujtimin e tij. Të gjithë e kanë marrë fatin e tij si një urdhër i dhënë për zhdukjen e tij.
Poezia qe i beri gjyqin Xhagjikes
Ndihmomëni të qesh!
Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm, pa miq e shokë)
mundohej të këpuste një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
Asnjë degë nuk e këpuste dot.
E mora përdore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963
Gazeta “TemA”