Tritol banesës së nënkryetarit të bashkisë Kamëz, PD: Policia po fsheh ngjarjen

Partia Demokratike dënon me ashpërsi rritjen e dhunës kundër kundërshtarëve politkë dhe përfaqësuesve të opozitës.

“Mbrëmë në mesnatë është vendosur tritol në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Fatmirësisht, ai dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë.

Policia e Shtetit po e fsheh këtë ngjarje të rëndë dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për agresorët.

Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit. Por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës.

Fshehja e ngjarjes nga policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës. Ajo vetëm sa shton mosbesimin e qytetarëve ndaj forcave të policisë.

Nëse do të vijohet edhe më tej duke fshehur ngjarjen, jo vetëm familja e Vendim Demajt, por të gjithë qytetarët e Kamzës do të identifikojnë tek Policia e Shtetit bashkëpërgjegjësin kryesor, që në aleancë me krimin e organizuar, po rrezikon përditë sigurinë e tyre.

Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbajë përgjegjës Edi Ramën për çdo akt dhune dhe agresioni ndaj përfaqësuesve të saj politikë. Çdokënd tjetër me përgjegjësi ligjore që me veprimin apo mosveprimin e tyre mundëson akte të tilla dhe pengon ndëshkimin e autorëve, e paralajmërojmë se ne as nuk falim e as nuk harrojmë. Ora e drejtësisë do t’u trokasë shumë shpejt!”, deklaron selia blu.

SHKARKO APP