Tritol në makinën e policit, prokuroria: 75 vjet burg për të akuzuarit

 

75 vjet burgim, kjo ka qenë pretenca e dënimit total nga Prokurorisë për Krime të Rënda për dy shtetas, të akuzuar për “Vrasjen e punonjësit të policisë, e mbetur në tentativë”.

Ngjarja kriminale ka ndodhur më datën 24.10.2013, ku Shaban Lami dhe Renato Kazani kanë vendosur lëndë ekspozive në mjetin e komandantit të njësive të patrullës së përgjithshme të komisariatit nr. 6, Tiranë, Sh. Toplana.

Rreth 500 gramë tritol, kanë shpërthyer në momentin që në të po hipte punonjësi i policisë, duke e shkatërruar mjetin, por pa i shkaktuar dëme objektivit të atentatit, Sh.Toplanas.

Si rezultat i punës hetimore, shtetasi Shaban Lami, në atë kohë punonjës policie në Komisariatin nr. 5, Tiranë, kishte debatuar me efektivin Sh.Toplana, njëkohësisht koleg i tij, për faktin se patrullat e komisariatit nr.6 i kishin ndaluar të birin, shtetasin Ervis Lami, pasi udhëtonte me një automjet pa dokumentacion. Për këtë arsye, duke diskutuar edhe me disa miq të të birit, të cilët kishin pakënaqësi ndaj punonjësit të policisë Toplana prej kohës kur ky i fundit punonte në komisariatin nr. 5, në Kamëz, vendosën të hakmerren ndaj tij.

I pandehuri Shaban Lami, së bashku me të pandehurin Renato Kazani kanë organizuar atentatin ndaj efektivit Sh. Toplana, me veprime aktive, duke siguruar, vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse në mjetin e Toplanës, me qëllim vrasjen e tij.

Pavarësisht se qëllimi kriminal përfundimtar, vrasja e efektivit të policisë Sh. Toplana, nuk u realizuar përfundimisht, dy të pandehurit kanë kryer të gjithë veprimet për të finalizuar veprimet e tyre.

Për këtë arsye, në përfundim të procesit gjyqësor, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin e tyre, përkatësisht:

–          Dënimin me 30 vjet burgim për shtetasin Shaban Lami

–          Dënimin me 35 vjet burgim për shtetasin Renato Kazani

SHKARKO APP