Tronditet peshëngritja, kampionja Begaj pozitive në testet anti-doping

Një lajm tronditës që nuk pritej aspak, sidomos në një moment kur entuziazmi dhe krenaria ishte e madhe për atë triumf që u cilësua historik, por që po shndërrohet në tragjik.

Ka qenë vetë Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes e cila në portalin e saj zyrtar ka bërë të njohur lajmin se nga rezultatet e analizave të peshëngritëses Romela Begaj është dalluar një dozë e lartë e substancës stanozolol, duke e pezulluar menjëherë peshëngritësen shqiptare nga çdo aktivitet deri në momentin kur të kryen edhe kundër analizat, pas të cilave Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes lajmëron se mund të ketë edhe një seancë dëgjimore.

Ndoshta duhet pritur deri në kryerjen e kundër analizave për të nxjerrë konkluzione, por gjithsesi edhe thjesht fakti që përgjigjet e para rezultojnë pozitive ndaj një substance si stanozololi, një steroid sintetik që përmirëson performancën sportive dhe është rreptësisht i ndaluar nga Agjensia Ndërkombëtare e anti-dopingit, bën që zhgënjimi të jetë i madh tek të gjithë ata që e përjetuan në shpirt triumfin e Begajt.

Nëse dhe kundër-analizat konfirmojnë pozitivitetin e sportistes 28-vjeçare, atëherë Romela Begaj rrezikon 2 deri ne 4 vjet pezullim dhe duke parë moshën e saj mund të përkthehej në mbylljen përfundimtare të karrierës.

Nuk është rasti i parë që peshëngritësit tanë rezultojnë pozitiv. E njëjta situatë ndodhi me Erkand Qerimajn dy vite më parë, apo edhe Fetije Kasën.

Për momentin Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka bërë asnjë koment, duke qëndruar në heshtje, një heshtje ndoshta shurdhuese që pohon mashtrimin e kryer me dashje apo pa dashje, pak ka rëndësi ka në fund.

SHKARKO APP