Trukimi me delegatët në Shkodër/ Duka vijon manipulimet, shkel premtimin që i bëri Ceferinit për të pritur vëzhguesit e UEFA-s
Përkundër premtimit të bërë ndaj Presidentit të UEFA-s për transparencë dhe për lejim të monitorimit të zgjedhjeve të shoqatave rajonale, Federata Shqiptare e Futbollit ka vijuar me manipulimet.
Drejtuesit e FSHF-së, të dërguar nga Tirana për administrimin e procesit në Shkodër nuk kanë lejuar jo vetëm mediat, por as të dërguarit nga UEFA për të vëzhguar procesin zgjedhor duke e bunkerizuar atë. Skandali thellohet edhe më shumë në numrin e delegatëve.
Njësoj siç bëri në Tiranë, duke shtuar fiktivisht numrin e delegateve, nga 12 delegatë që duhet të dilnin nga këto zgjedhje për shoqatën rajonale të futbollit në Shkodër, Armand Duka me të dërguarit e tij e çoi këtë numër në 23, duke siguruar vota shtesë për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në 2 mars ku ai kandidon për një mandat të 6.
Manipulimet e zgjedhjeve në shoqatat rajonale të futbollit ku drejtuesit më të lartë të FSHF po ndërhyjnë për rizgjedhjen e Armand Dukës, detyroi UEFA-n të dërgojë në Shqipëri një grup kontrolli. Në një prononcim për mediat e huaja pak ditë më parë, Ceferin tregoi qartë se edhe UEFA ka dyshimet e saj në rregullsinë e këtij procesi zgjedhur duke paralajmëruar ardhjen e një grupi verifikimi. Ai apeloi për një proces transparent dhe korrekt.