Trump kërcënon me 100 miliardë dollarë shtesë në tarifa kundër Kinës
Presidenti i SHBA Donald Trump ka udhëzuar zyrtarët që të marrin në konsideratë një shtesë prej 100 miliardë dollarë në tarifa ndaj Kinës, në një përshkallëzim të situatës së tensionuar tregtare. Këto tarifa shtesë vijnë pas tarifave fillestare prej 50 miliardë dollarësh të propozuara për qindra importe kineze nga SHBA. Propozimi vjen pasi Kina u kundërpërgjigj duke kërcënuar me rritje nw tarifat e tyre për 106 produkte kryesore të SHBA.
Këto lëvizje kanë destabilizuar tregjet botërore në javët e fundit.Analistët kanë thënë se një luftë e plotë tregtare midis SHBA-së dhe Kinës nuk do të ishte e mirë për ekonominë apo tregjet botërore dhe se negociatat e vazhdueshme pas skenave midis dy gjigantëve janë vendimtare. Megjithatë, reagimi i tregut aziatik të premten sugjeroi se investitorët nuk ishin aq të shqetësuar dhe se frika e luftës tregtare ishte disi e ekzagjeruar. Në Kinë, indeksi i aksioneve “Hang Seng” në Hong Kong ishte në territor pozitiv, me rritje prej 1.5%. Gjithashtu Nikkei 225,indeksi i Japonisë kishte rritje pas seancës së mëngjesit.
Taksat kundërpërgjigjëse
Javën e kaluar Uashingtoni paraqiti rreth 1,300 produkte kineze që synonte t’u rriste tarifat e vendosura në 25%. Kjo pasoi një njoftim në fillim të vitit se SHBA do të impononte taksa të importit për aluminin dhe çelikun, që do të përfshinte edhe Kinën. Shtëpia e Bardhë tha se tarifat e saj të fundit ishin një përgjigje ndaj praktikave të padrejta të pronësisë intelektuale kineze, siç janë ato që i shtyjnë kompanitë amerikane të ndajnë teknologjinë e tyre me kompanitë kineze. Kina u përgjigj me shpejtësi dhe me forcë duke propozuar tarifa për 106 produkte kryesore të SHBA-së, duke përfshirë pjesë aeroplanesh, sojën dhe lëngun e portokallit, me qëllim goditjen e sektorëve të rëndësishme politike në SHBA, si bujqësia.
Por në një deklaratë të enjten Trump e quajti përgjigjen e Pekinit si “të padrejtë”. “Në vend që të korrigjojë sjelljen e saj të keqe, Kina ka zgjedhur të dëmtojë fermerët dhe prodhuesit tanë. Duke parë përgjigjën e padrejtë të Kinës, unë kam udhëzuar Përfaqësuesin e Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të shqyrtojë nëse shtesa me 100 miliardë dollarë në tarifa do të ishte e përshtatshme sipas seksionit 301 dhe nëse po, të identifikohen produktet mbi të cilat do të imponohen tarifat” tha Trump.
Ai tha se gjithashtu kishte udhëzuar zyrtarët e bujqësisë që të zbatojnë një plan për të mbrojtur fermerët amerikan dhe interesat bujqësore. Ndërkohë, Kina ka nisur një ankimim me Organizatën Botërore të Tregtisë mbi tarifat e SHBA-së, në atë që analistët thonë se mund të jetë një shenjë se ky do të jetë një proces i zgjatur.
Tregtia midis 2 shteteve
Çfarë Kina shet drejt SHBA-së:
462.6 miliardë dollarë është vlera e mallrave të blera nga SHBA nga Kina në vitin 2016.
18.2% e të gjitha eksporteve të Kinës shkojnë në Shtetet e Bashkuara.
129 miliardë dollarë është vlera e makinerive elektrike të prodhuara nga Kina, të blera nga SHBA.
59.2% është rritja në shërbimet kineze të importuara nga SHBA midis 2006 dhe 2016.
347 miliardë dollarë është defiçiti tregtar i SHBA me Kinën.
/BBC/
KOHA JONË SONDAZH

