Trump në vendin e atentatit të parë: Do të shmang një luftë të re botërore

Ish-presidenti, Donald Trump zhvilloi një miting, bashkë me miliarderin Elon Musk në Pensilvani, në Butler, ku më 13 korrik Thomas Crooks tentoi të vriste manjatin.

Trump doli në skenë dhe kujtoi “përbindëshin e egër” që hapi zjarr, plagosi Trumpin në vesh dhe vrau ish-zjarrfikësin Corey Comperatore, i cili vdiq duke shpëtuar familjen e tij të ulur në rreshtin e parë.

“Kthehem te Butler me një mesazh të thjeshtë për Pensilvaninë dhe Amerikën: lëvizja jonë është më afër se kurrë fitores”, tha ish-presidenti, duke i kërkuar audiencës të mbajë një minutë heshtje në nder të Comperatore.

Më pas foli sërish dhe sulmoi demokratët.

“Në tetë vitet e fundit ata që donin të na ndalonin më kanë akuzuar, më kanë paditur dhe janë përpjekur të më nxjerrin nga votimi dhe, kush e di, ndoshta kanë tentuar edhe të më vrasin. Por, unë nuk do të ndalem”, siguroi ai.

“Ju meritoni një vend që ju mbron dhe respektohet”, shtoi ish-presidenti.

Ish-presidenti më pas ftoi Elon Musk në skenë.

I veshur me një bluzë dhe xhaketë të zezë, Musk tha se ”këto zgjedhje janë më të rëndësishmet e jetës sonë. Pala tjetër dëshiron t’ju heqë lirinë e fjalës”, tha Musk duke shpjeguar se “liria e fjalës është e nevojshme për të pasur demokraci. Trump duhet të fitojë për të ruajtur kushtetutën dhe demokracinë”.

Ish-presidenti më pas premtoi se me të në Shtëpinë e Bardhë do të shmanget ”një luftë e tretë botërore, me të cilën jemi shumë afër”./ a.jor. ATSH

SHKARKO APP