“Tungjatjeta Jetë”, Eugent Bushpepa i bashkohet kauzës në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara
Eugent Bushpepa na ka frymëzuar gjithmonë nëpërmjet muzikës së tij, kemi kërcyer nën ritmet e këngëve të tij, si dhe na ka bërë të ëndërrojmë në “Eurovision 2018”. Por, përveç gjithë pozitivitetit që transmeton me artin që bën, ai ka një mesazh për të gjithë ne… Të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Duke iu bashkuar kauzës në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, Eugent Bushpepa është zgjedhur ambasador i “World Vision” për programin social “Tungjatjeta Jetë”. Në këtë mënyrë ai ka zgjedhur jo vetëm të japë mesazhe solidariteti dhe ndihme, por edhe ka vendosur të udhëtojë në zonat ku “Tungjatjeta” po lulëzon Jetë.
Këto ditë ai ka udhëtuar në fshatin Skroskë të Librazhdit për të vizituar Emanuelin e vogël, i cili është një ndër 35 fëmijët që merr shërbime të specializuara falas në shtëpi nga ekipi i “Tungjatjetës”!
Emanueli ishte vetëm 3 muajsh kur u diagnostikua me encefalopati. Sot ai është 4 vjeç dhe nuk mundet as të flasë, as të ecë e as të qëndrojë ulur. Ai jeton me nënën e tij Mirën, motrën Gentën 2-vjeçare në një shtëpi shumë të vjetër (që një banor i fshatit u tregua zemërgjerë dhe ua la për të jetuar). Babai i Emanuelit sa herë mundet shkon në Greqi për të punuar, por vogëlushi ka nevojë për seanca të rregullta fizioterapie dhe logopedie.
Emanueli është një prej 70,000 fëmijëve në vend fëmijëve që janë me aftësi të kufizuara dhe vetëm 8 % e tyre marrin shërbimet bazë. “World Vision” punon për fëmijët dhe komunitetet më vulnerabël në Shqipëri dhe Kosovë, duke iu përgjigjur nevojave të tyre.
Teorikisht të gjithë e dimë që çdo fëmijë ka të drejtë të rritet me dinjitet e në mirëqënie, në mënyrë që të zhvillojë potencialin e tij të plotë, por praktikisht këto kauza kanë nevojë për mbështetje dhe inkurajim, prandaj “World Vision” ka zgjedhur si moto të saj rindërtimin e marrëdhënieve të thyera, unitetin dhe forcim në partneritet.
/VOX ALBANIAE.COM/


KOHA JONË SONDAZH

