Turi i falënderimeve, Rama në Shkodër: Ky rezultat për PS është sfida jonë më e madhe

Kryeministri Edi Rama ka nisur turin e falënderimeve për fitoren e thellë në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Turi nisi këtë të premte në Shkodër, që Rama e cilësoi si kryefjalën e këtyre zgjedhjeve, e cila pati një kthesë historike nga socialistët.

”Për herë të parë jemi forcë e parë politike në Shkodër. Dua të falënderoj dhe ata që nuk dolën të votojnë, duke e parë të pamundur që të votojnë për ne dhe Benetin. Unë për vete këtë rezultat në Shkodër e konsideroj si sfidën më të madhe që më është bërë mua dhe Shkodrës.

Ata që na votuan për herë të parë vendosën për të mos votuar me sy mbyllur sikurse e kanë bërë për 32 vite. Dhe kjo është problematike, sepse kush të voton me zemër të jep kredi afatgjatë siç ka ndodhur me palën tjetër. Ajo ka qenë një kredi pa interesa që u kthye në një dëm të jashtëzakonshëm për ata që e votuan. Por ajo ishte votë zemre dhe në 8 fushatat e mëparshme unë e kam ndjerë që mendja e shumicës ishte e mbyllur për të dhënë mesazhin, atyre zemra u rrihte djathtas”,-tha Rama.

Me tej Rama tha: “E kemi detyrim dyfish që këtë investim që njerëzit kanë bërë, ta kthejmë në një investim ose në një shlyerje borxhi që duhet të ketë parasysh këtë fakt. Që nga mënyra sesi Beneti do qeverisë bashkinë. I kam thënë sot që bashkia e Shkodrës do jetë bashkia e të gjithëve dhe këtë duhet ta reflektojë jo thjesht me faktin që investimet bëhen për të gjithë por që duhet një vlerësim i të gjithë atyre burimeve njerëzore që janë aty dhe në bazë të meritës do ndahen të gjitha. Është e rëndësishme Benet, që ti mos ta harrosh se je demokrat. Unë besoj, që Beneti ka votuar për veten dhe për PS-në këtë herë. Ndërkohë që e vë dorën në zjarr që deri kur ishte në listën e deputetëve  Beneti ka votuar PD-në. Kjo duhet të të shërbejë tani nëse pas 4 vitesh do të kesh një shans tjetër” – u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

SHKARKO APP