Turizmi në kolaps, nisin pushimet masive nga puna

Pandemia e covid-19 po rrezikon rëndë turizmin në Shqipëri, aq sa kanë filluar pushimet në masë nga puna. Sektori është në prag kolapsi. ”Deri javën e kaluar akoma strukturat nuk i kishin çregjistruar punonjësit e vet, këtë javë qeveria do të shikojë bumin e punonjësve të dalë nga sigurimet shoqërore. Nga data 1 prill e në vazhdim duhet të jenë strukturat shtetërore që të marrin përgjegjësi për punonjësit tanë”,- tha për A2 Business Vasil Bedinaj, kreu i Operatorëve Turistikë për Jugun.

“Standard & Poor’s” jep alarmin: Preket rëndë turizmi në Shqipëri

Alarmin për krizën që ka përfshirë turizmin e ka dhënë edhe Agjencia e Vlerësimit të borxhit “Standard & Poor’s”, që ka zhvilluar një analizë për ndikimin e pandemisë së koronavirusit. Analiza tregon se Shqipëria është në mesin e 15 vendeve, që do të pësojnë humbjet më të mëdha. Sipas S&P, vendet e rajonit të Ballkanit do të preken ndjeshëm nga pandemia dhe pritet të humbasin nga prurjet e turizmit nga 1,9-2.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nga ana tjetër, Këshilli Botëror i Turizmit ka deklaruar se 50 milionë vende pune në të gjithë botën në sektorin e turizmit janë të rrezikuara për shkak të COVID-19. Në këto kushte, Këshilli Botëror i Turizmit ka kërkuar nga qeveritë e vendeve të prekura nga koronavirusi që të marrin masa të menjëhershme për të frenuar kolapsin. Më konkretisht ata kanë propozuar: ruajtjen e vendeve të punës; kredi me interes 0 për të siguruar likuiditet për bizneset e mëdha dhe të vogla; si dhe heqjen e taksave për 12 muaj.

SHKARKO APP