Turqia fajëson lëvizjen gyleniste për vrasjen e ambasadorit: A do të mjaftojë ky shpjegim për Putin?
Media turke, e afërt me presidentin Erdogan, nuk ka vonuar që të drejtojë gishtin e akuzës ndaj një armiku të vjetër e të preferuar: Lëvizjen Guleniste.
Vrasja e ambasadorit rus krijon një situatë të vështirë për Ankaranë, e cila po afrohet shumë më Moskën në këtë periudhë.
Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve pritet të takohen nesër, bashkë me atë të Iranit, me siguri për të diskutuar gjendjen në Siri.
Në këto rrethana, Turqia duhet të japë një përgjigje shpejt për vrasjen e ambasadorit që është një nga skandalet politike më të rënda të mundshme dhe një dështim flagrant në kushtet e sigurisë që i duhn krijuar një diplomati të lartë.
Atentatori ishte gjithashtu nga radhët e policisë speciale të qytetit duke e bërë më të sikletshme situatën.
Më keq akoma, ai nuk do të kishte mundur ta realizonte sulmin pa ndihmë nga pjesëtarë të tjerë të forcave të sigurisë.
Disa analistë kanë gjetur ngjashmëri mes monologut të vrasësit, pas atentatit me formulën e lutjes të grupit të armatosur Al-Nusra.
Nuk dihet nëse ka vërtet prova që atentatori ka lidhje me gylenistët apo kjo është një përpjekje e qeverisë turke për të vrarë dy zogj me një gur.
Nga një anë i tregon Rusisë se po i gjurmon fajtorët me shpejtësi dhe nga ana tjetër lan hesapet me një armik të vjetër, duke rritur presionin mbi SHBA-në që ta dorëzojë Fetullah Gylenin.
Shumë varet nga reagimi i Rusisë. Putini mund të kërkojë një hetim serioz për ngjarjen dhe jo një narrtivë që i shkon për shtat presidentit Erdogan.
Turqia do të përpiqet shumë në ditët e ardhshme që të mrrë me të mirë Rusinë dhe nëse kjo nuk kënaqet nga akuza anti-gyleniste, fajtori mund të kërkohet gjetiu.
Nga ana tjetër, Rusia mund ta shohë këtë si një shans për ta ndarë Turqinë akoma edhe më shumë prej Shteteve të Bashkuara, një akt që ndoshta ia vlen jetën e një ambasadori në sytë e Kremlinit.
Këto sigurisht mbeten vetëm hamendje për momentin. Atentatori mund të ketë qenë vërtet gylenist.
Po inati ndaj Rusisë është i gjerë në Turqi, pavarësisht nga afrimi i të dy vendeve.
Rusia ka marrë pjesë dhe ka ndihmuar regjimin e Asadit, në krimet kundër popullatës sunite të Sirisë.
Nëse kanë qenë vërtet gylenistët mbrapa sulmit, ky do të jetë një nga ato rastet kur mbështetësit e Erdoganit do të dënojnë sulmin publikisht, por duke duarttrokitur privatisht.
Çdo akt ndaj një diplomati është akt terrorist, por pas ditëve filmimesh të tmerrshme nga Halepi dhe refuzimit të Rusisë për të dënuar Asadin, kanë acaruar shumë sentimentet e njerëzve në të gjithë botën e sigurisht veçanërisht në Turqinë fqinje. (Ruben Avxhiu)