Turqia fiton një betejë të gjatë ligjore me SHBA për statujën e perandorit romak, filozofit Mark Aurel

Pas më shumë se gjysmë shekulli, një statujë bronzi e rrallë e perandorit romak Mark Aureli është kthyer në Turqi, duke mbyllur një kapitull të gjatë betejash ligjore dhe përpjekjesh diplomatike. Ky riatdhesim është cilësuar si një “arritje historike” për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, bëri të ditur se statuja ishte nxjerrë ilegalisht nga Turqia në vitet 1960 dhe kishte përfunduar në Muzeun e Artit të Cleveland-it në Ohio, SHBA. “Ishte një luftë e gjatë. Kishim të drejtë, ishim të vendosur, ishim të duruar dhe ia dolëm mbanë. Mblodhëm me shumë kujdes provat e nevojshme dhe e kthyem ‘perandorin filozof’ Mark Aureli,” shkroi ai në platformën X.

Swiss Digital Desktop Reklama

Hetimi që çoi në kthimin e saj përfshiu analiza shkencore, kërkime të gjata në arkiva dhe dëshmi të dëshmitarëve okularë. Statuja, e cila besohet se daton nga shekulli i dytë ose i tretë pas Krishtit, u zbulua fillimisht në rrethin Golhisar të provincës Burdur gjatë gërmimeve të paligjshme. Për Turqinë, kjo figurë bronzi përfaqëson një nga artefaktet më të rëndësishme të mbijetuara nga trashëgimia e Anadollit të lashtë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ersoy theksoi se kjo fitore ligjore ishte fryt i bashkëpunimit mes diplomacisë, ligjit dhe shkencës, dhe njoftoi se statuja së shpejti do të ekspozohet për publikun në një ekspozitë të veçantë në Ankara. “Qoftë brenda apo jashtë vendit, ne do të vazhdojmë me vendosmëri të mbrojmë të gjithë trashëgiminë tonë kulturore të plaçkitur deri në fund,” deklaroi ai.

Mark Aureli – perandori që filozofonte mbi kuptimin e jetës

Mark Aurel (161–180 pas Krishtit), i njohur si “perandori filozof”, nuk ishte vetëm një sundimtar i fuqishëm i Perandorisë Romake, por edhe një nga mendimtarët më të ndritur të stoicizmit. I lindur në Romë më 121, ai u rrit në një mjedis aristokratik, por që në rini tregoi përulësi dhe një shpirt të thellë meditativ. Si perandor, ai drejtoi perandorinë në një periudhë të trazuar – me luftëra kufitare, epidemi dhe sfida të brendshme – por në vend që të kërkonte luksin apo glorinë e pushtetit, ai shkroi për veten një seri reflektimesh të thella filozofike.

Vepra e tij më e famshme, “Meditime”, mbetet një nga testamentet më të çmuara të mendimit etik dhe filozofik në historinë njerëzore. Në këto faqe, të shkruara në greqisht gjatë fushatave ushtarake në kufijtë e largët të perandorisë, Mark Aureli reflekton mbi përkohshmërinë e jetës, vlerën e virtytit, detyrën ndaj tjetrit dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së qetësisë së brendshme përballë vështirësive. Ai shkruante:
“Njeriu duhet të qëndrojë i thjeshtë, i drejtë dhe i vërtetë, ashtu siç kërkon natyra.”

Filozofia e tij stoike nuk ishte thjesht një ushtrim intelektual; ajo ishte një udhërrëfyes për jetën, që e ndihmoi të përballonte humbjet, barrën e pushtetit dhe sfidat e kohës me një shpirt të palëkundur.

Kthimi i statujës në Turqi nuk është vetëm një fitore për trashëgiminë kulturore, por edhe një rikujtim i gjallë se figura të tilla historike si Mark Aureli mbeten përherë burim frymëzimi. Përmes bronzit të mbijetuar nga shekujt, përmes fjalëve të tij të shkruara në Meditime, ai vazhdon të flasë mbi nevojën për drejtësi, mençuri dhe përkushtim ndaj së mirës – vlera që tejkalojnë kohën dhe kufijtë.

Përgatiti: Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?