
Propozimi për rritjen e TVSH-së për strukturat akomoduese nga 6% në 10%, në kuadër të paketës fiskale të vitit 2027, ka nxitur reagimin e sektorit të turizmit. Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, kundërshtoi këtë nismë, duke paralajmëruar se rritja e taksës do të rëndojë bizneset dhe dobëson konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon.
Sipas Topuzit, norma e reduktuar e TVSH-së nuk përbën një favor për hotelerinë, por një masë që synon të krijojë kushte të barabarta konkurrimi me vendet e tjera. Ai solli si shembull Malin e Zi, ku TVSH-ja për hotelet është 7%, ndërsa theksoi se bizneset shqiptare po përballen me rritje të kostove dhe ulje të fitimeve.
“Projektvendimi që përcjell qeveria për rritjen e TVSH-së nga 6% në 10% është një goditje e drejtpërdrejtë për turizmin”, u shpreh ai.
Topuzi ngriti shqetësimin edhe për çmimet e shërbimeve turistike në Shqipëri, të cilat, sipas një studimi të përmendur prej tij, janë rreth 25% deri në 45% më të larta se në Malin e Zi dhe, për kategori të caktuara, deri në 45% më të larta se në Greqi. “Në këto kushte, Shqipëria po del jashtë skemës së konkurrencës rajonale. Shumë biznese kanë mbyllur planet për vitin e ardhshëm dhe fitimet janë reduktuar”, deklaroi Topuzi.
Ai theksoi se përveç politikave fiskale, sektori ka nevojë edhe për formalizim dhe përmirësim të standardeve të shërbimit. Sipas tij, shoqata po konsultohet me ekspertë dhe grupe interesi për të hartuar një raport me propozime konkrete, i cili do t’u paraqitet institucioneve përkatëse brenda javës.
