U aksidentua me motor, humb jetën në moshë të re djali i biznesmenit të njohur në Tiranë

Ka ndërruar jetë ditën e djeshme në spital 27-vjeçari Amarildo Pajtoni, ose siç njihej ndryshe për familjarët dhe shoqërinë si “Ildi”, pasi ishte përfshirë në një aksident tragjik të regjistruar rreth dy javë më parë. I riu është djali i sipërmarrësit Mentor Pajtoni dhe nipi i biznesmenit tjetër Armando Pajtoni.

Amarildo Pajtoni ishte i apasionuar pas motorit, i cili i mori edhe jetën, pasi më 30 Qershor u përplas me një makinë në autostradën Rrogozhinë-Kavajë. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës, ku ndodhej në gjendje kome nga goditja në pjesën e kokës. Por, pavarësisht kujdesit maksimal të bluzave të bardha, Amarildo Pajtoni nuk ia doli dot dhe zemra e tij ndali përgjithmonë ditën e djeshme (15 Korrik).

Lajmi i trishtë është konfirmuar edhe nga i vëllai i tij, Redi Pajtoni, i cili në një postim në rrjetet sociale ka shkruar: “Ah zemra e vëllait pse më le vetëm”.

Po ashtu, edhe shokët e Amarildo Pajtonit kanë reaguar zemërthyer në rrjetet sociale për ikjen e padrejtë dhe të parakohshme të të riut.

27-vjeçari Amarildo Pajtoni ishte i angazhuar në biznes si administrator i kompanive të familjes, por dhe drejtues i bizneseve të vogla që kishte inicuar vetë.

 

SHKARKO APP