”U arrestua Berberi i Belindës”, Berisha: 1 km rrugë në sheshin Shqiponja ka kushtuar 30 mln euro
Sali Berisha nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, ka komentuar arrestimin e krahut të djathtë të ministres Belinda Balluku, Evis Berberi. Berisha theksoi se arrestimi i Berberit u bë që të justifikohen vjedhje edhe më të mëdha.
Pjesë nga fjala
Të dashur qytetarë, do u jap sonte disa shembuj për të kuptuar vjedhjen e tmerrshme që bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe soji i tyre në punët publike. Për të kuptuar se Berberi i Belindës është Taulanti i Erion Veliajt. Nuk është asgjë tjetër. Arrestohet Taulanti për të mbuluar vjedhjen gjer tani të 130 milionë euro me djegësin e Tiranës.
Për të mbuluar zhdukjen e 130 milionë eurove në konton bankare të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, para të paguara për inceneratorin e Tiranës.
Në një kohë, kur inceneratorit nuk i gjendet nam as nishan. Kur asnjëri nga 5 objektet nuk ekziston. Këtë krim të madh pasi Dumanët dhe Krajët kanë mbushur valixhet me euro, duan ta mbyllin me Taulantin dhe një drejtor tjetër të bashkisë. E njëjta gjë zhvillohet me rrugët. Vjedhjet në rrugë e tejkalojnë imagjinatën.