U dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, zbulohet lista e pallateve që do të shemben në Kombinat
Bashkia e Tiranës zhvilloi sot një dëgjesë publike me inxhinierë dhe ekspertë për të dhënë vlerësimin e tyre për disa nga pallatet në Kombinat, që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas nxhinierëve, shtatë nga tetë prej tyre do të duhet të rindërtohen nga e para, pasi kostoja e rikonstruksionit te tyre e kalon 70 për qind shumën që do të duhej për ta bërë nga e para.
“Ishte vetëm seanca e parë e një serie seancash që ne do bëjmë jo vetëm për zonën e Kombinatit, Kinostudios apo edhe hapësirave të tjera të pikëzuara. Lajmi i mirë është që qeveria na ka akorduar fondet, si për të filluar infrastrukturën tek lagjja e re, si për të filluar prokurimet tek ato që ne do bëjmë ndërhyrje në pallatet ekzistues, siç ishte hapësira x në Kashar”, tha Veliaj.
Ai theksoi se në Këshillin Bashkiak janë miratuar 3 mijë pagesat e para për dëmshpërblimet cash, ndërsa shumë shpejt do të miratohet edhe lista me 3 mijë emrat e tjerë, deri në përmbylljen e plotë të 7 mijë dosjeve të mbetura.
Bazuar në Aktin Normativ nr. 9 datë 16.12.2019, “Për përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore”, për këto projekte është kryer oponenca teknike edhe nga ana e Institutit të Ndërtimit, i cili pas shqyrtimit të gjithë dokumentacionit, ku është arritur në përfundimin se:
– “PALLATI 149”, Rruga “Llazi Miho”, duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Vlera e rikonstruksionit të këtij pallati shkonte në 106.6% të vlerës nëse do të ribëhej nga e para.
-“PALLATI 151”, Rruga “Sokrat Mosko”, duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri; Vlera e rikonstruksionit të këtij pallati shkonte në 98 % të vlerës nëse do të ribëhej nga e para.
-“PALLATI 155/1”, Rruga “Llambi Bonata, duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Vlera e rikonstruksionit të këtij pallati shkonte në 86.2% të vlerës nëse do të ribëhej nga e para
– “PALLATI 157”, Rruga “Hamdi Cenoimeri”, duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri; Vlera e rikonstruksionit të këtij pallati shkonte në 95.6% të vlerës nëse do të ribëhej nga e para
-“PALLATI 160”, Rruga “Sokrat Mosko”, duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Vlera e rikonstruksionit të këtij pallati shkonte në 77.7% të vlerës nëse do të ribëhej nga e para;
– “PALLATI 165, 165/1, 165/2, dhe 165/3”, Rruga “Tanush Frashëri”, duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Vlera e rikonstruksionit të këtij palli shkonte në 84.9% të vlerës nëse do të ribëhej nga e para;
-“PALLATI 174”, Rruga “Hamdi Cenoimeri”, duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Vlera e rikonstruksionit të këtij pallati shkonte në 92.9% të vlerës nëse do të ribëhej nga e para.
Projekti i ndërtimit të këtyre pallateve të reja do të hartohet në përputhje me Eurokod 8 për nivelin e performancës për rastin e efekteve sizmike.
Ndërkaq, në bazë të akt ekspertizës së thelluar për objektin “PALLATI Nr. 10 / Hapësira X” Rruga “Sokrat Miho”, bazuar në studime, prova laboratorike dhe analiza strukturore të plota rezultoi se godina duhet të ripërforcohet dhe rikonstruktohet. Vlera e rikonstruksionit të këtij pallati shhkon në 8.2% të vlerës nëse do të ribëhej nga e para.