U gjet i vdekur në banesë, mesazhi i 38-vjeçarit: Më dhe goditjen e fundit
Vijon hetimi për të zbardhur vdekjen e 38-vjeçarit, që pak ditë më parë u gjet i pajetë në banesë nga familjarët e tij, në rrugën “Kris Maloki” në Tiranë.
Sikurse raporton gazetarja e TCH Anila Hoxha, e cila citon detaje nga dosja hetimore, në telefonin e viktimës, me inicialet G.Ç., janë konstatuar edhe dy mesazhe me interes për hetimin.
Këto mesazhe i drejtohen një personi të regjistruar me emrin “My V***”, ku ndër të tjera shkruhej: “Unë me ty erdha në këtë jetë e pa ty do të iki …Dje më dhe goditjen e fundit, por do jem unë i pari që do të bëj këtë për ty…”.
Sikurse ka rezultuar nga hetimi, ky numër telefoni i përkiste shtetases SH.M, e cila rezulton të ketë patur një lidhje me viktimën. Por sikurse ajo ka pohuar ata janë shkëputur në dhjetor të vitit 2020 dhe për këtë arsye, ajo e kishte bllokuar numrin e tij të telefonit, ndaj dhe nuk i kishte marr mesazhet që i ishin adresuar.
“Nisur nga këto mesazhe është identifikuar shtetasja me iniciale SH.M dhe i është marrë deklarim, ku ndër të tjera ka deklaruar se në telefonin e saj nuk i ka ardhur asnjë mesazh nga shtetasi G.Ç. Kjo gjithashtu sqaron se kanë patur disa relata dhe kontakte të vazhdueshme me njeri-tjetrin, por në Dhjetor të vitit 2020 e ka bllokuar në telefon dhe nuk ka patur më kontakte. Po ashtu nga këqyrja e telefonit të kësaj shtetaseje nuk janë gjetur mesazhet e viktimës, pasi ajo e ka pasur të bllokuar numrin e tij prej muajsh”, thuhet në dosjen hetimore.
Por nga ana tjetër 10 ditë para se 38-vjeçari t’i jepte fund jetës ishte takuar me vajzën, e cila ka treguar se e ka parë në gjendje të rënduar psikologjike.