U hodh nga kati i dytë me foshnjën, nëna donte të ikte nga materniteti se ishte në situatë rruge
Një 35-vjeçare u hodh nga kati i dytë i maternitetit të Sarandës bashkë me foshnjën e porsalindur, por gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Në një intervistë, drejtori Tajar Lako shprehet se nëna nuk tentoi të vetëvritej, siç thoshte policia në njoftimin zyrtar, por se ishte tentativë e saj për t’u larguar nga spitali. Sipas drejtorit të maternitetit, 35-vjeçarja e kishte lindjen e gjashtë, por ishte në situatë rruge.
“Që ditën e tretë duke parë kushtet e nënës që duket pak me prapambetje, burrin e saj nuk mund ta gjenim se nuk vinte në spital, u thashë infermiereve që nëse shihnin burrin e saj të vinte në maternitet dhe të kontaktonte me mua. I gjithë stafi ka qenë i përkushtuar.
Duke qenë se këta janë të ardhur në qytet në sezon thjesht për të lypur, atëherë unë nuk mund ta nxirrja fëmijën nga materniteti se nuk dija kushtet e banimit dhe ku t’i shpinim. Kjo për arsye se unë një fëmijë dy-tre ditësh që ta nxirrja në rrugë me temperaturat 40 të ditës apo të ftohta të natës, pasi këta nuk kanë banesë, nuk mund ta nxirrja”, tha Lako.