U hodh nga kati i katër tek ”Shefqet Ndroqi”, fqinji i 65-vjeçarit: S’vuante nga depresoni

Covid-19 jo vetëm që ka krijuar një normalitet të ri që është distanca sociale dhe masat por përveç rasteve dhe humbjeve në jetë, Covid-19 po lë me pasojë edhe ata që e fitojnë betejën. 65-vjeçari që u hodh nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi” ku po trajtohet për Covid-19, gjithashtu po kurohej dhe për shqetësime psikologjike.  Por një fqinj i 65-vjeçarit, thotë se ai nuk vuante nga depresioni dhe se kishte marrëdhënie shumë të mira me të gjithë bashkëfshatarët. ”Nuk e dinim që ishte i sëmurë. Ishte biznesmen, i ndërgjegjshëm, në marrdhëniet me njerëzit kishte shumë njerzillëk. As se kemi dëgjuar asnjëherë, që ka pas probleme me depresionin apo që është kuruar. Me mirëbesim u jepte njerzve mallin që kërkonin nga dyqanin. Ai iu jepte qytetarëve dhe me listë”.

Të enjten, Spitali i Sanatoriumi doli me një deklaratë lidhur me ngjarjen e rëndë. Ky është rasti i dytë i vetëvrasjes që ndodh në këtë spital, brenda një kohe të shkurtër. Tre javë më parë, një 29-vjeçar nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i Sanatoriumit, në gjendje të rënduar psikologjike. Edhe ai po trajtohej nga koronavirusi.

“Në emër të stafit të spitalit tonë shprehim dhimbjen për humbjen e jetës së pacientit 65-vjeçar me inicialet H.M, i cili i dha fund jetës dhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij në këto momente të vështira. Ju informoj se 65-vjeçari ishte shtruar një ditë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej prej vetëm 24 orësh në spitalin tonë me terapinë e mjekimit për simptomat e Covid-19, si dhe shqetësimet psikologjike duke u asistuar nga stafi mjekësor. Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron të gjithë qytetarët se do të vijojë me vetëmohim e sakrifica të shërbejë për të gjithë pacientët që marrin mjekim në këtë spital, duke bërë maksimumin për shërimin e tyre ndaj një sëmundje aspak të lehtë me të cilën po ndodhemi”.

Të afërmit e pacientëve jashtë spitalit, çdo ditë qëndrojnë në ankth për gjendjen e familjarëve të tyre brenda mureve të Sanatoriumit. Dy rastet e vetëvrasjes nga të sëmurët me Covid-19 në Sanatoriumin e Tiranës janë thirrje alarmi për ndihmën që iu duhet dhënë të prekurve nga ky virus. Ata që e kalojnë në shtëpi dhe ata që kurohen në spital, kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike dhe jo vetëm për ilaçe. Të sëmurët me Covid-19 nuk duhet të stigmatizohen por të ndihmohen.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për mjekim nga pakujdesia dhe shkaktim i vetëvrasjes. Për rastin konkret janë përcaktuar dy prokurorë të cilët do të verifikojnë kushtet që po trajtohen të sëmurët, kartelat e tyre dhe deklarimet e mjekëve përgjegjës apo familjarëve të tyre. Në fokus të hetimeve më të thelluara do të jetë dhe rasti i vetëvrasjes së 29-vjecarit e ndodhur 2 javë më parë në po të njëjtin spital.

SHKARKO APP