U kapën duke transportuar 10 emigrantë, arrestohen 4 persona në Elbasan

Përfundojnë në pranga 4 shtetas, të cilët u kapën në flagrancë duke transportuar 10 shtetas të huaj nga vendet e treta. Finalizohet operacioni policor i koduar “Mengel 2″, ku u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, i shtetasve:

L., 30 vjeç dhe M. N., 33 vjeç, banues në Kamzë, H. H., 36 vjeç dhe L. H, 36 vjeç, banues në Tiranë.

“Në  zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e masave të hartuar nga  DVP Elbasan për marrjen e masave për të  parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimit të tyre kundrejt pagesës në territorin shqiptar dhe me denstinacion vendet e BE-se, si dhe në vijim të operacionit policor “Mengel “, nisur më datë 10 korrik, si rezultat i të cilit u vu në pranga 1 shtetas dhe u procedua 1 tjetër, pasi transportonin 9 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 400-500 euro, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, operacioni ka vijuar për goditjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.” – njofton policia.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke transportuar 10 shtetas sirianë, me dy automjete të marra me qira.

Personat e arrestuar do t’i transportonin shtetasit e huaj në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në shtetet e Bashkimit Evropian, kundrejt pagesës 500 euro per person.

Po këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe me shtetasin R. M., i arrestuar në flagrancë në datën 10.07.2020 në kuadër të operacionit “Mengel”, kryenin aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kryesisht sirianëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, nga Korça në Kukës, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Evropian.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjetet dhe pesë aparate celular.

SHKARKO APP