U mposht në Stamboll dhe Ankara, Rama mesazh Erdoganit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dërguar ditën e djeshme një mesazh urimi presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, për fitoren në zgjedhjet lokale. Partia ‘AK’ fitoi në shumicën e qyteteve në Turqi, por kjo fitore u eklipsua fuqishëm nga disfata e Erdogan përballë opozitës në Ankara, Stamboll, Izmir dhe Antalja.
Gjithsesi, Rama nuk ka ngurruar të urojë Erdoganin për këtë fitore pa shkëlqim dhe mesazhi konfirmohet nga ”Anadolu Agency” (AA). Një tjetër detaj interesant në lajmin që raportohet nga agjencia shtetërore turke është fakti që emri i Edi Ramës vendoset në të njëjtën listë me autokratët e tjerë të botës që kanë uruar presidentin Erdogan. ”Liderët që kanë uruar Erdoganin përfshijnë presidentin e Azerbajxhanit, presidentin e Serbisë, presidentin e Palestinës, një prej presidentëve të Bosnjes (Dodik), presidentin e Guineas, kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Rusisë”, raporton ”AA”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar gjithashtu një bisedë telefonike me Erdogan, ndërkohë që mesazhe urimi kanë ardhur edhe nga presidenti i Iranit dhe kryeministri i Pakistanit. Nga lista e publikuar nga ”Anadolu Agency”, asnjë lider i Bashkimit Evropian nuk rezulton të ketë uruar presidentin turk.
KOHA JONË SONDAZH

