U përzgjodh nga CISCO në SHBA, Eris Bleta të rinjve: Mos hiqni dorë nga ëndrrat
Eris Bleta prej gjashtë vitesh jeton në SHBA, ku la pas në Shqipëri punën e tij si graphic desing në gazetat më në zë në zë të vendit dhe më pas në fushën e IT-së. Pati fatin të përzgjidhej në lotarinë amerikane ku me shaka e ngacmojmë në këtë intervistë për “Diaspora Shqiptare” se u zgjodh si korçar që është. E ka nisur historinë e tij të emigrimit nga punët më pak të paguara dhe që nuk kishin lidhje me profesionin e tij, ndërsa sot është përzgjedhur nga CISCO, lider në fushën e Network, botës së internetit. Ai e konsideron një “dream job” dhe që i është dashur shumë punë për të arritur këtu.
Eris prej gjashtë vitesh tashmë jetoni në SHBA. Na tregoni pak historinë tuaj të emigrimit. Çfarë latë pas në Shqipëri, profesionin dhe punën tuaj, dhe sa i vështirë ishte ndryshimi për ju?
Në radhë të parë faleminderit për intervistën, ju vlerësoj. Vendimi për të emigruar edhe kur bëhet fjalë për SHBA ishte shumë i vështirë, sepse ti heq dorë nga gjithçka, familja, miqësia, shoqëria, karriera, kolegët dhe çdo pjesë tjetër të përditshmërisë tënde. Duke pasur parasysh që unë kisha ndërtuar një karrierë të kënaqshme në fillim si Graphic Design në disa nga gazetat më në zë në Shqipëri dhe me pas në fushën e IT në një kompani në Tiranë e bënë këtë vendim akoma edhe më të vështirë. Ndryshimi ishte i madh, ti përballesh me një botë, kulturë, mënyrë të jetuari krejt ndryshe. Ti e fillon nga 0 në gjithë kuptimin e fjalës, ke vetëm ca rroba trupi dhe shumë pak para që mund të kesh sjellë nga Shqipëria. Që ditën e dytë duhet të mendosh dhe të fillosh përgatitjet për jetën e re për të cilën s’ke as më të voglën ide se ç’të pret. Di vetëm çfarë të tregojnë personat që të presin dhe për punët e para nuk ke shumë zgjedhje do fillosh në ato vende ku të orientojnë miqtë që të presin në SHBA.
Si korçar që jeni ishit me fat që mundët të fitonin lotarinë amerikane (siç me shaka thuhet në Shqipëri). Ishte një synim i juaji të provonit Amerikën, kishit një objektiv të qartë, apo si shumë të tjerë që e tentojnë lotarinë çdo vit?
(Qesh) Kam përshtypjen se kjo është një legjende urbane, se këtu kam parë komunitete shumë të madh nga Fieri, Kukësi, Dibra, Berati dhe Vlora, por jam i bindur që ka edhe qytete të tjera. Nuk kisha ndonje qëllim në vetvete për Amerikën, ishte hera e dytë që i plotësoja dokumentat për llotarinë, e para pas martesës me Geltën. Nuk ka rëndësi sa e dëshiron llotarinë është thjesht çështje fati dhe në këtë pikë e pranoj që jam me goxha fat.
Ka shumë që mendojnë pse t’ia nisësh nga fillimi në një vend të huaj duke bërë dhe punë të rëndomta. Por sa e vështirë është për një shqiptar të ecë para në profesionin e tij në një vend të huaj?
Këtu do jem pak i drejtpërdrejtë, këto janë thjesht justifikime të njerëzve që se duan punën, njoh shumë njerëz në Shqipëri që thonë “po pse o për 5 mijë lekë do punoj unë”. Unë jam rritur me shprehjen puna është nder nuk është turp, gjyshi im ma thoshte shpesh këtë. Punët e mia të para këtu në SHBA nuk mund t’i quaj të rëndomta por që paguheshin pak, por kjo s’më ka penguar aspak të përqendrohem në synimet dhe profesionin tim. Shumë shpejt e kuptova që kontaktet janë shumë të rëndësishme këtu, kështu që fillova t’i ndërtoja ato, punoja, ndërroja punët në mundësinë e parë që e shikoja që puna tjetër më afronte më shumë me profesionin tim. Por edhe kam studiuar shumë, falë Zotit jetojmë në një kohë teknologjie ku informacioni është falas në të shumtën e rasteve dhe shumë i lehtë për t’u aksesuar. Me dhimbje mund ta them që në Shqipëri është më e vështirë të ecësh përpara në profesionin që do kjo për shumë arsye.
Tani jeni pjesë e CISCO, një nga kompanitë më të rëndësishme e një gjigant teknologjik në botë. Një synim i realizuar për ju e një mund i shpërblyer. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe cili është mesazhi për rininë shqiptare?
Po, Cisco është lider në fushën e Network, për thjeshtësi po them në botën e Internetit. Të jesh pjesë e kësaj kompanie është nder e privilegj dhe megjithëse kam punuar shumë për t’iu bashkuar Cisco-s përsëri e ndiej veten shumë me fat pasi edhe konkurenca është e madhe. Ishte një “Dream Job” për mua dhe shumë shpesh mendoja se do ngelej thjesht një ëndërr. Ky pesimizëm shpesh ushqehej edhe nga njerëzit që asnjëherë s’kanë fjalë inkurajuese, por vetëm shprehje të tipit “Po pse u mbaruar profesionistët këtu, por ty nga Shqipëria do të të marrin?” Mbase këto fjalë më dhanë më shumë forcë të realizoja ëndrrën time.
Të rinjve të vendit tim dua t’ju them, edhe pse puna që po bëni për momentin mund të mos jetë ajo që dëshiron apo akoma nuk iu është dhënë mundësia për një pune mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Mos ndaloni së punuari fort për t’ia arritur qëllimit tuaj, mundohuni të përfitoni dhe mësoni nga çdo njohje, eksperiencë, situatë dhe mos u dekurajoni nga njerëz që mund t’ju demoralizojnë dhe pretendojnë se dinë se çfarë parashikon e ardhmja për ju.
Ja u them këtë me përulësi si një njeri që ka punuar në gazeta, IT, fabrikë, magazinë, shpërndarës picash, teknik i thjeshtë interneti dhe inxhinier netëork-u në disa kompani prestigjoze këtu në SHBA. Dua ta mbyll me diçka që mua më ka inspiruar shumë. Nëse mendoni që dështuat në një projekt kujtohu që FAIL means First Attempt in Learning. Nëse ju refuzohet një pozicion pune kujtohu që NO means Next Opportunity. Faleminderit dhe suksese në punën tuaj shumë fisnike.