U plagos sot, Avokatja e Popullit tregon biseden me policen

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka vizituar efektiven  e policisë, Ina Nuka  e cila ndodhet në  Spitalin e Traumës. Efektivja e policisë i ka rrëfyer se kapsolli i ka renë në qafe dhe i ka shpërthyer kur ajo ka tentuar ta heqë.

Efektivja  ka humbur gishtin e madh dhe rrezikon të humbasë edhe gishta të tjera.

Pak më herët, institucioni i Avokatit të Popullit përmes një deklaratë zyrtare, njoftoi  se kishin nisur hetimet në lidhje me incidentet  e sotme mes protestuesve të Unazës së Re dhe policisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në të njëjtën deklaratë Avokati i Popullit shprehte keqardhjen për situatën e krijuar si rezultat i përplasjeve në protestën para Kuvendit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Qëndrimi i Avokatit të Popullit për protestën

Institucioni i Avokatit të Popullit po e ndjek në vazhdimësi situatën e krijuar si pasojë e kundërshtimeve për projektin e Unazës së Re.

Ndërkohë që prej të paktën dy javësh Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave të implementimit të këtij projekti të kontestuar nga një numër qytetarësh, si dhe garantimin e të drejtave të personave që preken nga ky projekt infrastrukutor, përplasjet midis këtyre të fundit dhe forcave të policisë ditën e sotme vendosin në fokus nevojën e përsëritur nga ana jonë për një debat gjithëpërfshirës rreth këtij projekti. Avokati i Popullit këmbëngul se vetëm rruga institucionale dhe ligjore mund të jetë ajo që prodhon një rezultat të gjithëpranuar dhe koherent me interesat e publikut dhe rregullave mbi të cilat kemi ngritur shtetin tonë të përbashkët.

Dhuna nuk mund të jetë një mjet me anë të të cilit duhen kërkuar zgjidhje dhe nga ana tjetër po kaq e kritikueshme është intransigjenca e atyre autoriteteve që i bëjnë qytetarët të ndjehen të shpërfillur, pa mundësi për të dialoguar e aq më keq, të pasigurtë në jetën e tyre.

Ruajtja dhe garantimi i dinjitetit njerëzor duhet të qëndrojë në themelin e çdo vendimarrjeje e politike zhvillimi.

Mirëqeverisja si vlerë thelbësore e shtetit të së drejtës nuk mund të realizohet pa u zbatuar ligji si i vetmi burim i sigurisë për jetën, nga secili prej nesh – e nga organet e administratës shtetërore përpara të tjerëve.

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh keqardhjen për situatën e krijuar si rezultat i së cilës nuk u arrit të shmangeshin dot lëndime nga radhët e punonjësve të policisë e të qytetarëve, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve duke garantuar se një hetim paralel ka nisur të zhvillohet për të parë nëse ka pasur tejkalime të kompentencave nga ana e institucioneve.

Me shpresën se situata të tilla prej të cilëve të gjithë si shoqëri dalim humbës do të evitohen, Avokati i Popullit bën thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve dhe nisjen sa më parë të një procesi të hapur, të ndershëm dhe të sinqertë komunikimi midis palëve deri në gjetjen e një zgjidhjeje të kënaqshme dhe ligjore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?