U skualifikua nga gara për kryeprokuror, Alushaj në Administrative: KLP ka shkelur afatin ligjor. Gjykata rrëzon padinë
Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar padinë e prokurorit Lulzim Alushaj, i cili u skualifikua nga gara për Kryeprokuror nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Alushaj pretendon se KLP ka shkelur ligjin pasi ka mbajtur dy standarde. “Më 17 qershor kur u mbyll gara për Prokuror të përgjithshëm, duhet të ishte skualifikuar edhe kandidati tjetër Olsian Çela i cili s’kishte kaluar vettingun”, ka thënë ai.
Ndërkohë Alushaj i kërkon trupës gjykuese të kryesuar nga Kastriot Selita që ta quaj të paligjshme garën për Prokuror të Përgjithshëm. Pasi sipas Alushajt KLP nuk ka respektuar ligjin për zhvillimin e garës.
Alushaj shprehet se diploma e tij është lëshuar në 15 qershor në vitin 2004 dhe pretendon se i plotëson 15 vite pune si jurist i spikatur.
Përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të prokurorisë në parashtrimin e tij thekson se zoti Çela ishte në proces rivlerësimi dhe ligji për garën për Prokurorin e Përgjithshëm nuk e pengon një kandidat prokuror që se ka kaluar vettingun që të kandidojë. “Këshilli ishte i detyruar të priste përfundimin e rivlerësimit për kandidatin që erdhi nga radhët e prokurorisë”, tha ai.