U zhgënjye nga Primaret, Shemsi Prençi del krah Alibeajt në Kamëz
Kreu i Grupit Parlamentar të PD në Kuvend, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar një takim me demokratët e Kamzës dhe Paskuqanit.
Lajm është se pjesë e këtij takimi është edhe Shemsi Prençi, ish-kandidat i Primareve për bashkinë e Kamzës. Prençi ishte ndër kandidatët që deklaruan se nuk e njihnin procesin e Primareve për shkak të parregullsisë në listat e votimeve.
Madje ai në një përballje me Flamur Nokën i kërkoi llogari duke thënë se si kishte marrë 16 vota në një zonë ku ka një pjesë të madhe të fisit të tij, vëllezër e kushërinj.
Postimi i plotë i Alibeajt:
Takim i ngrohtë dhe miqësor me demokratët e Kamzës dhe Paskuqanit, me shpresën dhe besimin e ndryshimit të nevojshëm jo vetëm për Kamzën, por në gjithë vendin.
Dhe këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm ne. Zgjidhjen nuk mund ta presim nga jashtë, padyshim që prej tyre presim mbështetjen dhe modelet e duhura. Por jemi ne ata që duhet të bashkohemi e të gjejmë zgjidhjet. Zgjidhje që vijnë nga njerëz me reputacion, njerëz me vizion, pro perëndimorë, të ndershëm e mbi të gjitha me dinjitet e parime, pikërisht si kandidati me të cilin Partia Demokratike do të garojë për Kamzën, z.Bilbil Bajraktari.
Kryefjalë në të gjithë Bashkitë e Shqipërisë është papunësia, mungesa e investimit dhe rendit publik. E sidomos plaga më e madhe mbetet shpopullimi. Familjet janë të përgjysmuara, e ato që kanë mbetur, janë të pashpresa.
Jemi të bindur se së bashku mund t’ia dalim që ti kthejmë pushtetin e tyre qytetarëve të bashkisë Kamëz.