UEFA nuk i ndalon gjobat Shqipërisë, kombëtarja dënohet një muaj pas Europianit
Edhe pse ”EURO 2024” ka përfunduar, UEFA ka vendosur të dënojë Federatën Shqiptare të Futbollit. Me vendimin disiplinor të qeverisë së futbollit kundër FSHF, dënohet sjellja e tifozëve të Shqipërisë në dy ndeshje, ato përballë Kroacisë dhe Spanjës. Objektiv i hetimit të UEFA-s ka qenë sjellja “raciste/ diskriminuese” e tifozëve kuqezi.
”Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë FSHF 30 mijë euro dhe të ndalojë Federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s si udhëtuese, për sjellje raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të saj. Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vitesh”, njofton UEFA.
Sipas vendimit në fjalë, FSHF do të paguajë gjobën, ndërsa dënimi i pezullimit të shitjes së biletave ndaj tifozëve shqiptare në një ndeshje jashtë fushe, do të hyjë në fuqi vetëm nëse në dy vitet e ardhshme do të evidentohen incidente të ngjashme. Dënime të ngjashme janë dhënë këtë mërkurë nga UEFA edhe për Serbinë, Rumaninë, Hungarinë, Austrinë, Slloveninë dhe Kroacinë.