UET festoi 10 vjetorin e themelimit
Aktualitet E Shtunë, 1 Maj 2021 13:11
Universiteti Europian i Tiranës festoi dje 10-vjetorin e krijimit në një mbrëmje Gala të mbajtur në ambjentet e universitetit, ku ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme në vend, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit, ish-presidentë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe Bernard Kouchner, një avokat i shqiptarëve dhe një figurë me rëndësi në politikën franceze.
10 vjet më parë ky universitet ishte vetëm një ide dhe një projekt i 4 djemve të rinj të pagëzuar si liberalët e djathtë, ndërsa sot numëron me mijëra studentë, 7 breza të diplomuarish, 570 pedagogë etj..
Bernard Kouchner, i cili do të nderohet nesër nga UET me titullin Honoris Causa gjatë përshëndetjes së tij shprehu vlerësimin për ftesën e bërë. “Jam i nderuar që jam i ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Kuptohet që keni një reputacion të shkëlqyer dhe e keni mbërritur këtë në një periudhë 10 vjeçare dhe do ju përgëzoj të gjithëve që keni punuar për ta arritur këtë në një periudhë kaq të shkurtër. Ta gëzoni përvjetorin e universitetit! Rroftë UET, rroftë Shqipëria!”- tha ai në fjalimin e tij të shkurtër.
Ministrja Nikolla e cilësoi këtë përvjetor me rëndësi, jo vetëm për UET, por për sektorin e Arsimit të Lartë në vend. Ajo tha se: “Sot është një ditëlindje e veçantë, UET është një nga ato institucionet që gjatë këtyre 10 viteve ka krijuar një dritare të ekselencës në Shqipëri. UET është qendër e konsoliduar në ekspertizë si; ekonomia, shkencat sociale, jurispudenca. Kjo është një datë e shënuar që duhet festuar nga të gjithë, jo vetëm për UET, por për arsimin e lartë gjithashtu. Sigurisht reforma jonë e arsimit të lartë i ka dhënë fund anatemimit të institucioneve të arsimit të lartë si lavatriçe diplomash. Në këtë raport të ri, që ligji i ri i arsimit të lartë i vendos të gjithë universitetet, si ato publike dhe ato jopublike, bën të mundur që ata ta shohin njëri-tjetrin, jo si rivalë, por si partnerë”.
Firma e parë zyrtare në liçencën që i hapi rrugë hapjes së UET-it ka qenë ajo e ish-ministrit të Partisë Demokratike, Genc Pollo, i cili nuk mund të mungonte në këtë përvjetor. “Ky 10 vjeçar është interesant se në 2006, kur u liçensua UET ende vlonte debati nëse arsimi privat është një gjë e mirë për shoqërinë apo jo, por sot s’ka dyshim që kjo është një e mirë për shoqërinë dhe këtë meritë do t’ua njohim sot themeluesve të këtij universiteti. Të gjithë e pranojnë se universitetet private përbëjnë një plotësim, në mënyrë modeste, në radhë të parë të arsimit të lartë në vend. Për këto 10 vite do të veçoja diçka tek UET, aftësinë për të qenë me idetë e veta duke u shprehur në mënyrë jokonformiste me pushtetin e ditës me anë të akademikëve të tij, për aftësinë për të mbajtur debatin mbi idetë më shumë se debatin mbi njerëzit. Kjo është një meritë që i takon personelit akademik”, tha ndër të tjera ai.
Pollo adresoi kritika karshi ministrisë aktuale për mbështetjen e pakët me buxhet për arsimin e shkencën, por më tej shtoi se “sot është një ditë për të përkujtuar një 10-vjeçar të rëndësishëm që spikat në panoramën e arsimit të lartë në Shqipëri”.
Një prej themeluesve të universitetit, Henri Çili, tha se festa e UET-it mund të na shërbejë për tre premisa të së ardhmes që lidhen sipas tij me lirinë e tregut, potencialin e sektorit privat për të sjellë ndryshime të mëdha dhe së fundmi si faktor i zhvillimit të vendit.
“Universiteti do ta shpëtojë Shqipërinë në kuptimin e gjerë të fjalës, nga aty do të vijnë idetë e reja në një botë që po ndryshon çdo ditë, njerëzit më të përgatitur në një botë që ka sfida të shumëfishta. Universiteti është i vetmi që mund të na kapërcejë me një shpejtësi në një kohë më të shkurtër se çdo kush tjetër, prapambetjen që kemi me botën e zhvilluar, për t’u bërë realisht një vend i zhvilluar”, tha ndër të tjera Çili.
Gjatë ceremonisë përshëndetën Presidenti i UET-it, Prof.Dr.Adrian Civici, rektori Prof.Dr.Tonin Gjuraj dhe rektori i parë i UET-it, Prof.Dr.Ferit Duka, të cilët ndanë me të pranishmit sfidat që ka hasur stafi akademik në këto 10 vite.
Gjithashtu në lidhje audio përshëndetën ceremoninë dhe dy personalitete që janë nderuar me Honoris Causa nga UET, Trajnieri i Kombëtares shqiptare Gianni de Biasi dhe ish-presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli
KOHA JONË SONDAZH