UISH: Infermierët të mos shkurtohen nga puna, i duhen popullatës
Këshilli Kombëtar i Urdhërit të Infermierit, në një mbledhje të fundit të tij, diskutoi problematikat dhe ankesat e ardhura prej infermierësh e grupe infermierësh nga shumë rrethe të vendit, kryesisht nga spitale distriktesh dhe spitale rajonale, në të cilat në kuadrin e një reforme që për ta është e panjohur dhe e painformuar, është kryer shkurtimi i shumë prej tyre.
“Ne kemi ndërmjetësuar dhe takime me drejtuesit e institucioneve të këtyre e në disa kemi gjetur dhe mbështetjen e bashkëpunimin që rregullimi i strukturave apo ai institucional nuk duhet të prekte punonjësit shëndetësorë dhe kryesisht infermierët, të cilët edhe vetë ministria e Shëndetësisë, në strategjinë e saj që ka hartuar deklaron se ne kemi numrin më të vogël për 1000 banorë të infermierëve në Shqipëri.
Pra, problemet e shkurtimit të infermierëve nuk janë probleme se ata janë tepër, por janë probleme të organizimit dhe sistemimit të tyre në vendin e punës, ndoshta të forcimit të kujdesit parësor, ndoshta të vënies në efiçencë të spitaleve, të distrikteve rajonale, e ndoshta të zgjidhjes së disa problemeve të tjera të cilat nuk duhet të rëndojnë dhe të çojnë në heqjen e infermierëve nga puna. Në mungesë të një mjeku specialist për shërbime në spitalet e rretheve, nuk do të thotë se duhet të heqim edhe infermierët. Pra, duhet punuar që ata njerëzit atje kanë nevojë për shërbim shëndetësor dhe ne duhet të gjejmë me çdo kusht e me politika të caktuara t’u çojmë atyre mjekun kardiolog, gjinekologun, mjekun kirurg, të cilët janë të domosdoshëm për atë popullsi dhe atë institucion. E në këtë kuadër jo të shkurtojmë numrin e infermierëve dhe të rritim atë të administratave, të cilat janë bërë shumë burokratike. Duhet parë që shkurtimi i vendeve të punës të jetë nga këto administrata të fryra dhe jo efiçente.
Lidhur me gjithë këtë problematikë, Këshilli Kombëtar i Urdhërit të Infermierit vendosi t’i drejtohet me një kërkesë ministrit të Shëndetësisë dhe të kërkojë një takim me të, me një përfaqësi të UISH-së ku të diskutojë rreth saj”, citon UISH në një njoftim për shtyp. Duke nënvizuar më tej edhe detajet konkrete:
“Të diskutojë se grupimi infermieror që përfaqëson Urdhri i Infermierit është një grupim i papërfaqësuar, i pavlerësuar dhe një zë i padëgjuar edhe në politikëbërje. Për ta vendosin të tjerët, që nuk janë profesionistë dhe jo përfaqësues të tyre; të paktën edhe në organet në vendimmarje dhe në bordet e spitaleve, edhe në ministri, edhe në bordin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nuk kemi përfaqësues të infermierëve, e kur themi infermierëve, të gjithë grupimit infermieror që përbëhet nga 14.400 profesionistë në të gjithë Shqipërinë.
Për të cilat ne do t’i kërkojmë atij që të kenë një hapësirë që zëri i tyre të dëgjohet dhe ata të jenë pjesë e politikëbërjes nëpër institucione, por dhe të dëgjohen edhe në vendimmarrje, qoftë edhe për punësime, qoftë edhe për hartim strukturash apo dhe për rregullim ose përmirësim të kujdesit shëndetësor dhe të kujdesit infermieror.
Problem tjetër që ne do të diskutojmë është se e shohim jo të drejtë shkurtimin e disa infermierëve në institucione spitalore, bile ndodh që nga muaji janar deri më sot kur janë shpallur strukturat dhe po bëhen shkurtime të punonjësve, ne po gjejmë në disa institucione marrjen e punonjësve të rinj. Kur ti ke lajmëruar punonjës për t’i shkurtuar nga puna, atëherë përse duhet të marrësh të rinj kur duhet të bëhet ky sistemim?
Në kuadër të Check Up-it janë marrë punonjës të rinj dhe po hiqen punonjës të vjetër nga puna, kur këta mund të sistemoheshin në strukturat e Check Up-it.
Janë marrë punonjës të rinj ose po merren të rinj edhe për fuqizimin e urgjencave, sepse Urgjenca Kombëtare do të dalë si institucion më vete. Eshtë gjë e mirë që ajo të fuqizohet dhe të përmirësohet shërbimi i saj, por kjo ugjencë kërkon detyrimisht infermierë që ne i quajmë të kategorisë së parë, infermierë me eksperiencë, profesionistë, që të dinë dhe të njohin të gjitha procedurat e dhënies së ndihmës së parë ndaj pacientëve e pritjes së urgjencave. Duhet patjetër që këta infermierë të kenë shkathtësi dhe shprehi praktike për të dhënë ndihmën e parë. Pra, këto vende pune janë pikërisht për këta infermierë të vjetër, jo për infermierët e rinj dhe ne jemi për atë që të bëhet një rregullim institucional dhe nuk ka përse të hidhen në rrugë infermierë të vjetër, me eksperiencë, infermierë të zgjedhur në organet e Urdhrit. E në këtë kuadër, Urdhri i Infermierit nisur edhe nga misioni i tij që thuhet se përfaqëson interesat e profesionistëve, merr përsipër që të kundërshtojë këtë veprim dhe të kërkojë përmes ministrit të Shëndetësisë një reagim, edhe në institucionet e vartësisë, të cilët duhet ta rishikojnë qëndrimin e të mos heqin njerëzit nga puna.
Të mos hiqen profesionistët e mirë, ata me eksperiencë, sepse kjo nuk do sjellë një përmirësim të kujdesit, por do të sjellë një ulje të cilësisë së tij”, sqaron UISH.
KOHA JONË SONDAZH

