“Ukraina nuk është vetëm e ukrainasve”

Prof. Dr. Pandi Zdruli

Instituti Agronomik Mesdhetar i Barit, Itali

Gati dhjetë vite më parë, një kolegu im italian u martua me një vajze ukrainase dhe sëbashku blenë një shtëpi përdhese me oborr në rrethinat e Odesës. E takova mikun tim përsëri disa vite më vonë, dhe ai duke e ditur profesionin tim si shkencëtar i tokës (më mirë i dheut), më thotë se në kohën e lirë në kopështin e tij kultivonte perime të ndryshme dhe mahnitej me tokën e zezë pjellore që prodhonte aq shumë, pa përdorur asnjë lloj plehu kimik apo organik. ”Është një dhe i shkrihet”, më thoshte plot jetë e gjallesa. Unë e dija fare mirë për çfarë dheu bëhej fjalë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Këto toka të zeza e tepër pjellore në gjuhën pedologjike, në Amerikë quhen Mollisole (nga Latinishtja e butë (soft), ndërsa në gjuhën ndërkombëtare të klasifikimit të tokave quhen Chernozem (me origjninë sllave tokë e zezë) ose Kastanozem (përsëri nga sllavishtja tokë e zezë me ngjyrë si gështenja).

Swiss Digital Mobile Reklama

Sigurisht për shumë lexues ka pak rëndësi çfarë emri kanë këto toka. Ajo që ju intereson atyre është për çfarë perdoren dhe çfarë prodhojnë. E pra pikërisht këtu qëndron rëndësia kolosale e tyre. Këto lloj tokash të zeza në shkallë globale, mbulojnë vetëm 3 për qind të sipërfaqës tokësore, por ato prodhojnë afro 90 për qind të drithrave në shkallë botërore. Janë të shtrira kryesisht në zonën qendrore të SHBA-së dhe Kanadasë, në Amerikën Latine sidomos në Argjentinë, në Euro-Asi, si dhe në pjesën veriore të Azisë Qendrore duke përfshirë një territor të gjerë, sidomos në Rusi. Ukraina është e bekuar të ketë 34 million hektarë toka të tilla.

Për këto toka në vitin 2018, Organizata Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) vendosi krijimin e një forumi ndërkombëtar për ruajtjen dhe mirë administrimin e tokave të zeza, duke i shpalluar ato si një pasuri e rrallë dhe e pazëvëndësueshme për sigurinë ushqimore kudo në botë. Këto lloj tokash ruajnë në brendësi të tyre sasi kolosale të karbonit organik si një masë mbrojtëse kundrejt ndryshimeve klimatike. Në të kundërt, nëse do të keqpërdoreshin ato kthehen në një burim të madh të çlirimit të karbonit organik në atmosferë, duke e përshpejtuar ngrohjen globale.

Atëherë pse them se Ukraina nuk është vetëm e Ukrainasve. Sepse ky vend, kryesisht falë tokave pjellore dhe klimës së përshatshme nuk prodhon drithra vetëm për 44 milionë banorët e saj, por për më shumë se 400 milionë njerëz kudo në botë. Eksportet e drithrave të Ukrainës zënë gati 15 për qind të totalit botëror, duke tejkaluar të gjithë sasitë që vendet e BE, sëbashku eksportuan në vitin 2020.

Disa ditë më parë, Francesco Divella, një nga prodhuesit më të mëdhenj të industrisë së pastave në Itali, në një intervistë për televizionin italian shprehte shqetësimin se mbyllja e porteve në Ukrainë po shkaktonte mbylljen e disa prej fabrikave të tij, pasi gruri i blerë nuk do të mbërrinte në Itali. Por unë do të thoja çfarë do te ndodhte me Egjyptin, nje vend me 102 milion banorë që është vendi i parë në botë për importin e drithrave, sidomos të grurit. Ajo që quhet Pranvera Arabe filloi pikërisht nga mungesa e bukës. Këto janë edhe disa nga arsyet pse bursa e Cikagos ku tregtohen ato që quhen commodities (ose materiale bazë, përfshirë edhe drithrat) ndjehu menjëherë tronditje sapo filloi lufta në Ukrainë. Edhe pse pak flitet, Kina është partneri kryesor tregëtar i Ukrainës, me një vlerë vjetore prej mbi 15 miliard dollarë, sipas të dhënave të vitit 2020. Ky bilanc është gati dy herë më i madh sesa ai midis Gjermanisë dhe Ukrainës.

Në rastin tonë, une nuk e di nga vijnë drithërat në Shqipëri, ndoshta edhe nga Ukraina. Por do të thoja se bujqesia jonë nuk duhet të anashkalojë prodhimin sidomos të grurit dhe të misrit. Ne i kemi mundësitë të fuqizojmë prodhimin e tyre, sidomos ne ato zona ku kushtet tokësore e klimatike janë të përshtatshme. Disa nga prodhimet bazë që kanë një ndikim direkt në sigurinë ushqimore dhe në traditën tonë të të ushqyerit që vazhdon të mbështetet akoma fuqimisht tek buka, ndoshta duhen riparë dhe mbështetur më mirë.

Uroj që lufta të mbarojë sa më shpejt. Vuajtjet e popullit ukrainas janë tragjike dhe pa dyshim nuk e meritojnë një dramë të tillë. Nje bote e tere eshte ne mbeshtetje te tyre edhe pse pa e ditur dikur mund te kene ngrene nje pjate me makarona apo nje embelsire qe e kishte nisur rrugetimin e saj nga tokat pjellore te Ukraines dhe nga fermeret e pa lodhur te saj. Ukraina është dhe do të mbetet e ukrainasëve, e popullit të saj që me heroizëm po mbron vendin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?