Unaza e Madhe/ Bashkia nis aksionin, prishen dy banesat e para
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkia Tiranë kanë prishur sot në mbrëmje (26 nëntor) dy banesat e para pa leje në zonën e “Astirit”, duke i hapur rrugë kështu realizimit të projektit.
Kjo pasi disa prej banorëve të kësaj zone kanë pranuar të lirojnë ndërtimet për tu zhvendosur nga banesat sociale, të vëna në dispozicion nga bashkia e Tiranës.
Lajmin e ka dhënë vet kryebashkiaku Veliaj, i cili shpreh mirënjohje për familjet e para që u zhvendosën dhe pranuan të lirojnë banesat e tyre.
“Mirënjohje 2 familjeve të para që pranuan sonte prishjen e 2 banesave pa leje në Unazën e Re në shkëmbim të banesave sociale. Më mirë për ato të 2-ja e më mirë për 200 mijë shoferë që do kenë Unazën. Një qytet që s’ka të humbur e që s’e lejon politikën të përdorë! FORCA!”, shkruan kryebashkiaku Veliaj në rrjetet sociale.
Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për të bërë mundur realizimin e projekti që do zhvillojë, jo vetëm gjithë zonën e Astirit, por do të sjellë dhe një çlirim të trafikut në një nga zonat më problematike të Tiranë.

KOHA JONË SONDAZH

