Unë jam Klementina Reçi, mbesa e Kastriot Reçit shkruan mediave online

DREJTUAR:       TË GJITHA MEDIAVE ONLINE DHE AUTORITETIT TË MEDIAVE
AUDIOVIZIVE

Përshëndetje,

Unë jam Klementina Reçi, mbesa e Kastriot Reçi-t, viktimë e një
krimi të kryer para 11 ditësh në qytetin e Rrëshenit. E ndjej për
detyrë të sjell këtë kërkesë humane, në emër të të gjithë
familjarëve të mi: xhaxhallarëve, hallës, babit tim, bashkëshortes
së xhaxhait tim, djalit 4-vjeç dhe fëmijës në ardhje.

Me datë 8 janar dhe në vazhdim, është publikuar në të gjitha
websitet tuaja, llogaritë në facebook, kanalet në youtube dhe jo
vetëm, video e detajuar e vrasjes së xhaxhait tim, pa analizuar
pasojat psikologjike dhe traumat që krijon drejt familjarëve të
viktimës dhe sidomos fëmijëve.

Unë nuk kam studiuar psikologji, që t’a shpreh në mënyrë
shkencore ndikimin që ka humbja në mënyrë të tillë e njeriut të
afërt, por di të them dhe të tregoj rraskapitjen, konfuzionin,
trishtimin, ankthin, mpirjen, paqartësinë e njerëzve te mi dhe
shumëfishimin e të gjithave me publikimin e pamjeve të qarta dhe
dinamike të vrasjes së xhaxhait tim.

Di të them gjithashtu që fëmijët hidhërohen ndryshe nga të
rriturit. Humbja e një prindi ndikon në ndjenjën e tyre të sigurisë
dhe jetesës. Hutimi, kuptimi i kufizuar dhe pamundësia për të
shprehur ndjenjat i vë ata në disavantazh të veçantë. Rritja e tyre
në një ambient të shëndetshëm është detyra dhe dëshira e të
gjithëve ne që i rrethojmë. Një djalë 4-vjeç dhe një vajzë e
vogël në ardhje, përveç rritjes pa babain dhe gjithë pasojave që i
përmenda më sipër, janë të detyruar të rriten me pamje të qarta
të vrasjes se prindit.

Me publikimin e videos, detyra jonë bëhet e pamundur, dhimbja
shumëfishohet dhe ju u hiqni të drejtën për t’u rritur në
mënyrë të shëndetshme mendore dy fëmijëve, ju cënoni dinjitetin,
dhe krijoni pasoja të pashmangshme dhe të parikuperueshme në jetën
dhe personin e tyre. Atë që ligji shqiptar nuk e rregullon dot, po jua
kërkoj unë në mënyrë humane dhe morale, të fshini videon e
vrasjes.

Në mënyrë të veçantë, i lutem drejtuesve të institucionit të
Autoriteti të Mediave Audiovizive, si qenie humane, të marrin masat e
nevojshme në ndalimin dhe heqjen e atyre pamjeve dhe çdo detaj mbi
zbardhjen e ngjarjes t’ia lënë në dorë institucioneve të
drejtësisë.

Ju uroj të gjithëve që mos ta gjeni veten kurrë në pozicionin tonë
dhe shpresoj që fjalët nuk do më bien në vesh të shurdhër,

Me respekt,

Klementina

SHKARKO APP