Universitetet/ Mjekësia, Ekonomiku dhe Drejtësia më të preferuarit, ja detajet

Faza e parë e regjistrimeve në universitete është mbyllur ditën e djeshme. Kjo është bërë e ditur dje nga drejtuesi i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj.

Gjatë një prononcimi për mediat, Xhelaj zbuloi se mbi 5 mijë e 200 maturantë depozituan dokumentet gjatë 48 orëshit të raundit të parë të regjistrimeve në Universitete. Sipas tij, as këtë vit nuk ka surpriza, pasi Mjekësia, Ekonomiku dhe Drejtësia mbeten programet e studimit më të preferuar nga maturantët.

Në këtë kontekst, ai theksoi se Fakulteti Juridik ka qenë preferencë e rreth 6700 maturantëve, ndërsa shtoi se vetëm 700 rezultuan fitues në fazën e parë, 614 prej të cilëve vajza. “Krahasuar me vitin që shkoi, regjistrimi ka ecur pothuajse në të njëjtin ritëm me një ulje jo të ndjeshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Aktualisht kemi 103-104 studentë të regjistruar. Për ata që nuk e shohin veten fitues në këto faza por mund të jenë fitues në degë të tjera por që nuk janë pëlqimi i parë i tyre unë do tu thoja të presin, sepse mundësia për tu regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë është relativisht e lartë”, deklaroi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, Xhelaj tha se edhe Mjekësia dhe Ekonomiku janë në krye të listës së preferencave.

“Dega kryesore që momentalisht ka numrin më të madh të regjistruar është Mjekësia e Përgjithshme, kemi 211 studentë të regjistruar nga 260 kuota dhe në Fakultetin e Ekonomikut rreth 120-125 studentë të regjistruar”, është shprehur ai. Nga ana tjetër, Xhelaj bëri me dije se ka ende shpresë për ata që dëshirojnë të ndjekin studimet në Fakultetin e Mjekësisë, pasi sipas tij, në fazën e dytë mund të mbeten 20 kuota bosh. Megjithatë, ai theksoi se ka interes edhe për programet e tjera të studimit.

“Kemi rreth 20 studentë që megjithëse kishin fituar Mjekësinë janë regjistruar në degë të tjera, preferenca të tjera. Minimalisht për fazën tjetër, ditën e shtunë do ketë dhe 20 kuota të lira për Mjekësi. Kanë filluar të preferohen dhe degët e Teknologjisë së Informacionit por edhe degë që lidhen me mjedisin, energjinë”, tha ai.

Sot do të nisë faza e dytë 48 orëshe, ndërsa Xhelaj dha disa udhëzime për maturantët.

“Të gjithë ata maturantë që dje dhe sot u është shfaqur ngjyra e verdhë, në përfundim të ditës pas përpunimit të të dhënave do tu shfaqet ngjyra jeshile dhe nesër direkt ata mund të shkojnë në Sekretarinë përkatëse dhe nëse dëshirojnë të regjistrohen në degën fituese do të regjistrohen si në fazën e parë brenda 48 orëshit në vijim. Nëse presin një degë tjetër duhet ti kushtojnë shumë vëmendje këndit të maturantit”, nënvizoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?