Universitetet, si do të regjistrohen studentët pas kuotave të lira
Pas përfundimit të fazës së parë të aplikimit për konkurrimin në Universitete, gjithë vëmendja e studentëve është mbi pranimet në degën e zgjedhur. Sipas Ministrisë së Arsimit, sivjet ka më shumë kuota sesa aplikantë. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka zbuluar se dy nga degët më të kërkuara nga studentët janë Administrimi i Biznesit dhe Fakulteti i Drejtësisë. Sipas Kules, nëse në Fakultetin e Ekonomisë do të regjistroheshin të gjithë fituesit të fazës së parë, do të mbeteshin rreth 400 kuota të lira. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që maturantët që janë në pritje të mos shqetësohen pasi pas datës 29 ka një procedurë me 7 seanca 48- orëshe, ku do tu jepet një mundësi studentëve të cilët janë në pritje për të tu regjistruar në Fakultetin e Ekonomisë. Pavarësisht se afati i vënë në dispozicion është 28 orë, Kule theksoi se asnjë maturant nuk do të ngelet pa u regjistruar në degën që ai ka zgjedhur si preferencë të parë.
“Sikur të gjithë të regjistrohen fituesit e shpallur, mbeten 400 vende bosh. Meqë procedurat janë 48 orësh, nuk duhet të shqetësohen dhe t’i kap paniku, dhe të regjistrohen në një degë tjetër. Ata duhet të presin, se do u vijë radha, Për këtë ju siguroj. Gjatë këtyre zbritjeve duhet të rrinë pa panik, duhet të presin se do u vijë radha edhe atyre për t’u regjistruar. Procesi i aplikimit për t’u regjistruar do nis që në orën 08:00 dhe s’do ketë asnjë pengesë nga ana jonë”, tha Kule. Gjithashtu dekani shtoi se Fakulteti i Ekonomisë do të jetë në dispozicion të studentëve gjatë gjithë kohës së regjistrimeve, në mënyrë që tu ofrojë atyre mbështetje maksimale. Ndërkohë Artan Hoxha, dekani i Fakulteti të Drejtësisë, është shprehur se ndodhemi në një moment të veçantë për të gjithë studentët që kanë dëshirë të vazhdojnë studimet në Universitet.
“Ne kemi më shumë kuota pasi sipas ligjit të ri të arsimit, studimet në drejtësi janë 5-vjeçare. Për këtë shkak ne kemi një numër të madh studentësh krahasuar me vitet e mëparshme. Në përfunduam verifikimet dhe në faqen tonë, ashtu si kërkon udhëzimi i Ministrisë për disa minuta do të jenë të afishuara listat. Studentët mund të gjejnë të gjithë pikëzimin”, – është shprehur Hoxha. Ministria e Arsimit dhe Sportit njoftoi se për këtë vit akademik, numri i aplikantëve për studime në Universitete, në raundin e parë, është 25.822 maturantë, ndërsa kuotat e lira në total për studentët brenda vendit janë 32.268. Kuotat e lira përfshijnë universitetet publike dhe ato private. Universitetet publike numërojnë rreth 22.897 kuota të lira, ndërsa privatet 9.371.
MAS njoftoi se Qendra e Shërbimeve Arsimore është duke i përcjellë të gjitha IAL-ve, në formë elektronike dhe zyrtarisht, për çdo program studimi të ofruar nga ana e tyre:
1. Listën e aplikantëve që kanë përzgjedhur programet e studimit.
2. Notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme. 3. Rezultatet e provimeve të maturës shtetërore.
4. Mesataren e të gjitha viteve të shkollës së mesme.
5. Mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore.
6. Mesataren e përgjithshme të përllogaritur sipas VKM. Nr 346 datë 19.4.2017.
7. Indekset e profileve të shkollave të mesme.
Nis shpërndarja e librave, të blihen vetëm në pikat e licensuara
Ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore në pikat e licencuara nga Ministria e Arsimit. Autoritet arsimore garantojnë nxënësit se nuk do të ketë mungesë të botimeve ndërsa u bëjnë apel të mos e lënë në ditët e fundit blerjen e tyre për të shmangur radhët e gjata. Ka nisur shpërndarja e teksteve në pikat e licencuara pranë shkollave ku mësojnë nxënësit. Nga këto kancelari, librari ose pika të tjera prindërit dhe nxënësit duhet të blejnë librat shkollorë sipas katalogëve përkatës.
Drejtorja e Arsimit parauniversitar Zamira Gjini,, tha se procesi i shitjes së teksteve ka filluar. Njësitë tregtare që janë pranë shkollave dhe distributorët që janë në qytetet e Shqipërisë kanë filluar shpërndarjen e teksteve dhe shitjen e teksteve për nxënësit e këtyre qyteteve. Drejtorja garanton nxënësit se nuk do të ketë mungesë të teksteve, pasi botuesit kanë printuar në kohë librat në bazë të kërkesave të shkollave. “Kemi rreth 170 tekste në katalogun shkollor, tekstet e klasave nga e para në të nëntën janë shpërndarë që një javë përpara nga botuesit në të gjithë Shqipërinë, nuk ka mungesë të teksteve nga katalogu i teksteve shkollore.
Lëndët shkencore të klasave 2 dhe 7, si dhe klasa e 10 në gjimnaz, do të mësojnë me tekste të shtëpive botuese Cambrige, Oxford, Peason. Tekstet e matematikës, e shkencave të natyrës, kemi tekste të përkthyera nga shtëpitë botuese Cambrige, Oxford dhe Peason që janë përkthyer dhe përshtatur nga botuesit shqiptarë dhe janë përzgjedhur në shkollat tona”, u shpreh Gjini. Autoritetet e Arsimit i bëjnë thirrje nxënësve të mos i lënë në ditë të fundit blerjet e librave me qëllim shmangien e radhëve, ndërsa thonë se ky proces do të monitorohet nga Ministria e Arsimit dhe Inspektoriati Shtetëror i Arsimit.
Shpallen fituesit në Fakultetin e Juridikut dhe Ekonomisë
4 Fakultetet më të kërkuara në Universitetin e Tiranës, shpallin kandidatet fitues. Tre ditë para afatit, Fakulteti i Ekonomisë, Drejtësia, Gjuhët e Huaja dhe Fakulteti i Shkencave Sociale, nxjerrin listën e fituesve të raundit të parë. Lajmi është bërë publik nga dekanët, të cilët nuk fshehën optimizmin për kërkesat e mëdha ndaj degëve të tyre, por dhe cilësinë e lartë të maturantëve fitues.
Në Fakultetin e Ekonomisë, dega më e kërkuar është Administrim Biznesi, 7 mijë aplikime për 460 vende. Mesatarja më e ulët e fituesit në fund të listës është 9.7- ta. Megjithatë dekani Dhori Kule kërkoi vëmendjen e kandidatëve të tjerë, për të ndjekur lëvizjet e listës. Ndërsa, Fakulteti Drejtësisë pret që 60% të kuotave t’i plotësojë në raundin e parë. Për këtë degë kanë aplikuar 6300 të rinj për 750 vende. Duke filluar nga ky vit, dega e drejtësisë do të jetë 5 vjet. Sipas datës së përcaktuar nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, shpallja e fituesve në Universitete do të bëhet në datën 28 gusht, ndërsa në 29 fillon regjistrimi.
Çdo regjistrim i fituesve pasqyrohet online në programin e ngritur për këtë proces. Kjo u jep mundësi kandidatëve pritës të ndjekin listën, për të parë ku kanë shanse për të dalë fitues. Raundi i parë do të këtë 7 faza 48 orëshe të lëvizjes së listës. Ndërsa raundi i dytë nis pas ç’rregjistrimeve që kryejnë maturantët, që synojnë degë më të mira nga ato që fituan në raundin e parë. Për vitin e ri akademik në universitetet publike dhe private do të pranohen 32 mijë studentët, ndërsa kërkesat nga të rinjtë si rrallë herë janë më të ulëta se kuotat, 25 mijë e 800.

