Universiteti i Tiranës, një histori suksesi
Gentiana NISHICA MALAJ
Janë të paktë ata që e kuptojnë historikisht termin “karta e Bolonjës”. Nëse universiteti i njohur italian ka dhjetë shekuj e gjysmë histori dhe konsiderohet me të drejtë si nëna e universiteteve, historia e Universitetit të Tiranës është relativisht e re.
Shqiptarët për shkaqe historike e kulturore, alfabetin dhe gjuhën e shkruar e atë të njësuar, i kanë në moshën e “fëmijërisë”. Edhe pse i themeluar në vitin 1957 Universiteti i Tiranës e meritoi për një kohë shumë të shkurtër statusin si kryeqendra e dijes, kulturës e shkencës e kjo për faktin se në mësimdhënie u angazhuan qysh në krye të herës, figurat më të njohura të historisë, së shkencës e kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Mjafton të kujtojmë emrat e mëdhenj të Budës e Çabejt, Demirajt, Cekës, Turdiut, Shirokës etj, të cilët jo vetëm pregatitën brezat e parë të mësuesve për gjimnazet më të mira të vendit, por dhe ishin bërthama iniciuese e Akademisë së Shkencave, e themeluar në vitin 1972 si institucioni suprem i shkencës.
Universiteti Shtetëror i Tiranës e ruan edhe sot e kësaj dite statusin e qendrës më të rëndësishme arsimore dhe shkencore të vendit. Profesorët e tij janë akoma më të njohurit, më të pregatiturit për nga formimi shkencor dhe profesional.
Si kryeqendra e dijes Universiteti i Tiranës ka “luksin” të jetë në epiqendër të vëmendjes së politikës, të mediave dhe të opinionit publik, pikërisht për faktin se është shtetëror, por mbetet një histori suksesi prej gjashtë dekadash.