Universiteti i Tiranës: Provimet do të zhvillohen online

Provimet e semestrit të dytë në Universitetin e Tiranës, do të zhvillohen online. Paçka vendimit nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për mundësinë e kthimit në auditor për zhvillimin e sezonit apo konsultimeve, rektori i Universitetit të Tiranës, thotë se ishin vetë studentët ata që preferuan procesin në distancë.

”Proceset deri në përfundim të këtij semestri online, me mundësinë që studentët dhe pedagogët sipas një planifikimi të bërë paraprakisht, të kenë konsultimet e fundit për secilin program studimi që ka provim në fund të sezonit. Parimisht provimet në tërësinë e tyre do të zhvillohen online, sikurse në semestrin e parë. Indikacion të fortë nga studentët: duan ta përfundojnë vitin sikurse e nisën, me një numër masivisht të lartë, kërkojnë provimet online”,-tha Artan Hoxha për ”Vizion Plus”.

Nga ana tjetër, ka edhe degë specifike që do t’i realizojnë provimet në fakultet. Studentët të cilët nuk do të kenë mundësi të jenë prezent nuk do të penalizohen, por universiteti do t’u ofrojë alternativa të tjera. Studentët e të gjitha niveleve e kanë zhvilluar mësimin virtualisht përgjatë gjithë vitit akademik, ndërsa procesi është shoqëruar edhe me problematika të ndryshme.

SHKARKO APP