
Ura e Bardhajve në Shkodër vijon të jetë një shqetësim serioz për sigurinë e banorëve, ndërsa ndërhyrja e paralajmëruar për rikonstruksionin e saj ende nuk është konkretizuar.
Rreth 4 mijë banorë të fshatrave të zonës së Rrethinave e përdorin çdo ditë këtë urë për t’u lidhur me qytetin e Shkodrës. Dëmtimet e dukshme në strukturën e saj kanë shtuar frikën e qytetarëve, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
Situata bëhet edhe më shqetësuese në prag të sezonit të dimrit, kur reshjet e dendura dhe rritja e prurjeve të lumit Kir mund të ndikojnë më tej në qëndrueshmërinë e urës.
Pavarësisht apeleve të vazhdueshme të banorëve, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete për përmirësimin e gjendjes.
Në muajin qershor, Bashkia e Shkodrës njoftoi se, në bashkëpunim me Emergjencat Civile, po hartohej një projekt për rikonstruksionin e plotë të urës. Megjithatë, disa muaj pas këtij njoftimi, punimet ende nuk kanë nisur.