Ura e re mbi Osum, afron 2500 banorë të zonave rurale me Beratin
Një urë e re panoramike prej 290 metrash mbi lumin Osum tashmë lidh fshatrat Bilçë, Malinat dhe Zhitom me Beratin dhe vendndodhjen e tij të trashëgimisë të mbrojtur nga UNESCO, duke zgjidhur sfidat e hershme dhe duke krijuar mundësi të reja si për vendasit ashtu edhe për turistët ndërkombëtarë.
Ndërsa siguron qasje më të shpejtë në qytet përmbi 2500 banorë në këto fshatra aty pranë, ura ka ulur gjithashtu ndjeshëm numrin e automjeteve që kalojnë nëpër qendrën historike, duke ndihmuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj.
“Tani fshatrat janë më afër Beratit, gjë që i bën produktet dhe pronat tona më të vlefshme. Kjo urë ishte një kërkesë dhe një ëndërr e banorëve për 50 vjet, sepse më parë kishte vetëm një rrugë të ngushtë dhe dredha-dredha që na lidhte me qytetin. Për ne, është një lehtësim shumë i madh”, thotë Shkëlqim Hadaj, kryetar i njësisë administrative të Velabishtit, e cila përfshin 13 fshatra.
Ura e re i sjell dobi jo vetëm Bilçës, por edhe fshatrave si Droboniku, Bardhaj, Zhitomi dhe Terpani. Investimi, një nismë e financuar nga BE-ja përmes Programit të Mbështetjes së Zhvillimit Ekonomik Vendor të Modelit të Drejtuar nga Turizmi, sipas banorëve vendas e ka dyfishuar vlerën e zonës, duke i nxitur fermerët të investojnë më shumë në prodhimin bujqësor dhe duke krijuar mundësi të reja për bizneset, artizanët dhe sipërmarrësit vendas.
Duke pasur parasysh potencialin e jashtëzakonshëm të Beratit për turizëm vendas dhe ndërkombëtar, Ura e Bilçës lehtëson qasjen në zonat rurale, ku vizitorët mund të shijojnë peizazhet e buta kodrinore të rajonit.
KOHA JONË SONDAZH



