“Urbanizim dhe transformim”, kryebashkiaku Llatja: Përfundon investimi strategjik në lagjen “5 Maji”
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shoqëruar nga deputetja Evis Kushi inspektoi përfundimin e punimeve në rrugët “Anastas Paparisto” dhe “Hasan Dylgjeri”, që lidhin lagjen “5 Maji” me fshatin Mengël të Njësisë Administrative Labinot Fushë. Kjo lagje, e cila prej më shumë se 30 vitesh nuk kishte përfituar asnjë ndërhyrje, është transformuar rrënjësisht me asfaltimin e një segmenti prej 1.5 km. Nga një zonë informale, ajo tashmë ka kaluar në një zonë urbane me standarde të reja.
“Kjo zonë ka shumë ndërtime të reja. Para disa kohësh ne ndërhymë në KUZ dhe në furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa sot kemi realizuar edhe asfaltimin e dy rrugëve kryesore. Segmenti 1.5 km e ka kthyer këtë lagje në një pjesë integrale të qytetit dhe shumë shpejt do të vendosim edhe sistemin e ndriçimit”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.
Rruga ka formën e një unaze, duke përshkuar të gjithë zonën nga Hotel Mondial deri te Teqeja e Madhe dhe më pas vijon drejt Mengëlit. Kjo lidhje ka një ndikim të madh ekonomik dhe i shërben mbi 500 familjeve dhe rreth 3000 banorëve që tani kanë akses të lehtësuar dhe kushte shumë më të mira.
Gjatë inspektimit, kryetari Llatja theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e jetesës së banorëve të zonës. “Kjo zonë ishte një premtim i bërë një vit e gjysmë më parë, dhe sot premtimi është mbajtur, duke sjellë gëzim për banorët. Kujtoj se katër vite më parë, kur erdhëm këtu, shihnim vetëm përmbytje dhe gardhe të prishura. Sot, falë këtij investimi, lagjja është transformuar, duke reflektuar një standard të ri urbanizimi. Nuk do të ndalemi këtu, por do të vazhdojmë të përmbushim çdo kërkesë të qytetarëve”, tha ai.