Urdhër-arresti ndaj Ahmetajt, politologu Hasimja: Tregon se sistemi po funksionon, te shqiptarët po rikthehet shpresa
Politologu Ermal Hasimja ka folur për urdhër-arrestin e lëshuar ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Ai u shpreh se kjo tregon se duke pasur parasysh reformën në drejtësi, për të cilën mazhoranca ka trumbetuar aq shumë, ajo po tregon në një farë mënyre të gjitha limitet e veta.
Çfarë do të thotë të kërkosh ndërkombëtarisht ish-zv.kryeministrin e Shqipërisë, pasi tashmë ka një urdhër arresti nga gjykata?
Mendoj që ka diçka shumë interesante këtu që kjo reforma e drejtësisë e aplikuar, e ndërtuar, e bekuar gjithashtu nga mazhoranca në një farë mënyre tregon këtu limitet e veta meqenëse praktikisht duket se vetë Ahmetaj nuk beson te kjo drejtësi që ka kontribuar edhe vetë për ta instaluar.
Duket sikur as vetë socialistët nuk besojnë tek kjo drejtësi që e kanë ndërtuar vetë. Gjëja pozitive është që në një moment që ne shqiptarëve na ishin shuar shpresat nga sistemi i drejtësisë, duke e konsideruar si një lindje e dështuar, mesa duket nga ana tjetër rezulton se sistemi funksionon, pavarësisht se te pjesa e dënimeve pastaj është tjetër gjë, pasi kemi mendime të ndryshme.
Për herë të parë ne kemi parë që ndoshta jo të gjitha shpresat në këtë vend janë zhdukur. Mendoj që çdo njeri që ka vënë firmën nëpër dokumente korrupsioni, sot nuk e bën gjumin të qetë. Kjo është diçka shumë pozitive. Dhe në raste të tilla edhe vetë sistemi i drejtësisë inkurajohet, merr një lloj pushteti por edhe mbrojtjeje në raport edhe me politikën.