Urdhëri për azilkërkuesit, Merkaj: 970 shqiptarë u refuzuan në kufi

Çdo ditë e më shumë ka shqiptarë që duan të kalojnë ilegalisht kufirin shtetëror me qëllim azilin. Ndaj dhe Ministria e Brendshme, në fillim të janarit nxori një udhër për shtim të masa dhe statistikat flasin për një rritje të numrit të refuzimeve. Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj shprehet se që nga momenti i hyrjes së ligjit në fuqi me 8 janar e deri sot, janë refuzuar në dalje mbi 900 raste. ”Nga 8 janari që ka hyrë në fuqi zbatimi i urdhrit janë refuzuar në dalje 970 të rritur dhe 22 të mitur. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje të refuzimeve me 167 të rritur më shumë dhe 14 të mitur”.

Për ”Euronews Albania”, ai pohon se nga analizat ka rezultuar se shtetasit që kërkojnë azil mundohen të gjejnë rrugë të reja për t’iu shmangur kontrolleve. ”Nga informacionet dhe analizat që shkëmbejmë me partnerët na rezulton se ka edhe shtetas që fillimisht udhëtojnë në vendet e rajonit ose fqinje dhe më pas nga aeroportet e këtyre vendeve udhëtojnë drejt zonës Shengen”. Urdhri kërkon një sërë dokumentesh të detajuara që justifikojnë qëllimin e udhëtimit, kohën dhe mënyrën e qëndrimit si dhe mjetet financiare. Shtetasit që janë deportuar duhet të paraqesin një dokument që provon se nuk kanë ndalim hyrje, urdhër ndalimi ose dëbimi në vendet e BE-së.

Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, iu drejtua me një apel qytetarëve shqiptarë, ndërsa kërkoi që të respektojnë rregullat e udhëtimit pasi në të kundërt do të përballen me penalizime të forta. Qytetarët shqiptarë dhe kërkesat e tyre të shtuar për azil kanë qenë një problem i shtuar për Europën, ndërsa këtë fenomen e përmendi edhe vetë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë muajit tetor të vitit 2019, pikërisht në kohën kur Franca vendosi të frenonte procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Disa ditë më parë, Zyra Evropiane e Azilkërkuesve, publikoi të dhënat e fundit për azilantët gjatë vitit 2019, ku janë treguar dhe shifrat e plota. Sipas raportit, shqiptarët janë një ndër popujt që kanë kërkuar më shumë azil përgjatë vitit që lamë pas dhe numërohen 18 881 persona. Shqipëria rendiet një ndër vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve, bashë me Irakun, Pakistanin, Turqinë, Iranin dhe Nigerinë. ”Qytetarët e Kolumbisë, Irakut, Pakistanit, Turqisë, Iranit, Nigerisë dhe Shqipërisë gjithashtu parashtruan një numër të konsiderueshëm aplikimesh, por nga këto, vetëm kolumbianët vazhduan të aplikonin për azil në një numër më të madh se në muajt e kaluar. Në fakt, kolumbianët paraqitën më së shumti aplikime që të paktën në vitin 2014. Në të kundërt, shqiptarët paraqitën kërkesat më të pakta që nga korriku i vitit 2018. Për Nigerianët një prirje rënëse ishte edhe më e dukshme, pasi ata kërkuan azil më shpesh në pjesën e parë të 2019”.

Rruga e braktisjes së fëmijëve në vendet e BE-së, është kthyer në shqetësim për autoritetet nga përmasat në rritje që po merr. Drejtor i Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj, thotë se për 2019-ën janë 41 prindër që janë përballur me drejtësinë për “Braktisje të femijëve të mitur”, nga 27 që kanë qenë në vitin 2018. Por kjo shifër e referimeve në prokurori, në fakt, mund të mos tregojë realitetin e fëmijëve të braktisur. Numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë, për vetë përfitimet që ata marrin nëse gjenden në vendet e BE-së si të mitur të braktisur nga prindërit, ku shtetet më të ‘preferuara’ mbeten Italia dhe Franca. Ajo që shihet nga prindërit “braktisje për një jetë të mirë”, në fakt u kthehet në bumerang, pasi sapo mbushin 18-vjeç fëmijët janë të detyruar të lënë qendrat e strehimit dhe të përballen të vetëm me jetesën në një vend të huaj, për të gjetur vendbanim dhe një punë. Një rrugë, që shpesh, është e vështirë edhe për vetë vendasit.

SHKARKO APP