Urgjenca Kombëtare, Rama: Jo më mjekë me pallto, janë shtuar 37 autoambulanca
Në eventin e mbajtur për modernizimin e Urgjencës Kombëtare, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar fazën e transformimit të saj si epokale. Ai tha se në ditën e tërmetit që goditi vendin më 21 shtator, 1600 thirrje u trajtuan dhe morën ndihmë në kohë reale.
”U trajtuan njëkohësisht 128 qytetarë të dëmtuar në Tiranë apo në Durrës, diçka që vetëm pak vite më parë do ishte e paimagjinushme, jo më e realizueshme. Vetëm pak vite më parë urgjenca e kishte të pamundur të trajtonte më shumë se tre raste në të njëjtën kohë , dhe vetëm pak vite më parë, për të marrë kontakt me urgjencën duhet të pritej pafundësisht për ngritjen e telefonit, pasi ishin vetëm tre linja që funksionin. Sot ky shërbim është një nga historitë më domethënë të transformimit të shërbimit shëndetësor në Shqipëri, një transformim që vazhdon, ka nevojë ende për kohë dhe për durim, për të përmbushur atë që do ta quaja ciklin e parë, të një situate të normalitetit, për të synuar në një cikël të dytë ekselencën e domosdoshme në disa nga drejtimet jetësore të këtij shërbimi”.
Nga ana tjetër, Rama shtoi se vetëm vitin e fundit janë shtuar 37 autoambulanca të reja, me aparatura moderne shpëtuese dhe me staf të trajnuar në vazhdim. ”Sot, për herë të parë në këto kohët e fundit zhvillohen misioni ajri me helikopterë si pjesë normale, ndërkohë që helikopterët ishin privilegj vetëm për një grup njerëzish. Janë kursyer nga arka e shtetit pothuajse 5 milionë euro nga pothuajse përgjysmimi i rasteve që deri dje trajtoheshin në spital duke llogaritur eleminimin e transportit për pacientë. S’ka më mjekë urgjence me pallto dhe me çanta personale që vijnë nëpër shtëpia sikur vijnë për ngushëllim; mjekë të braktisur tërësisht deri dje. Sot stafi i urgjencës është jo vetëm i mbështetur dhe dinjitoz por edhe i mirëpajisur për çdo gjë që duhet të përballojë”.