Urimi i kryetarit të KMSH-së për muajin e shenjtë të Ramazanit: Ju ftojmë të jemi më solidarë

Në vigjilje të muajit të Ramazanit, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Bujar Spahiu u ka uruar të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë e të pranuar nga Allahu. “Rrugëtimi ynë i përbashkët për të arritur kënaqësinë e Zotit kërkon motivim të lartë. Ju ftoj që të jemi më solidarë me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mbara!“, shprehet ndër të tjera kreu i KMSH.

Urimi i plotë

Bismilahi Rrahmani Rrahim Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër, nesër më 13 prill, është dita e parë e Muajit të Bekuar të Ramazanit.

Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, ju përcjell urimet më të sinqerta që ky Ramazan të jete muaj i mëshirës së ndërsjellë mes njeri-tjetrit, muaj i faljes dhe mirëkuptimit, muaj i ngritjes morale dhe shpirtërore, për përballimin me sukses të sfidave në të cilat ndodhemi dhe ato që na presin.

Rrugëtimi ynë i përbashkët për të arritur kënaqësinë e Zotit kërkon motivim të lartë. Ju ftoj që të jemi më solidarë me familjet në nevojë, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mbara!

Të nderuar besimtarë!

Çdo adhurim gjatë këtij muaji, ka vlerë shumëfish më të madhe. Prandaj, njerëzit përmes sakrificave të shumanshme personale, veprave të bamirësisë, vizitave tek njëri-tjetri, lënien anash të mospajtimeve etj., synojnë të arrijnë kënaqësinë e Zotit dhe harmoninë me njerëzit me të cilët rrethohen.

Duke u frymëzuar nga këto synime fisnike, uroj nga zemra që ky muaj të jetë muaj i faljes, mirëkuptimit, dashurisë, unitetit dhe paqes.

Duke ju uruar muajin e Ramazanit, më lejoni t’ju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi e prosperitet për ju dhe familjet tuaja!

SHKARKO APP