Ushtarët jashtë vendit, Xhaçka: Do ndjekim me prioritet pjesën tonë
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Shefi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçkaku janë interesuar për shëndetin e ushtarakëve shqiptarë në misione jashtë atdheut kryesisht në vendet e prekura nga Covid-19. Përmes një videokonference me përfaqësuesit më të lartë ushtarakë shqiptarë në strukturat dhe misionet e Aleancës apo atashetë ushtarakë në vendet e prekura më rëndë nga COVID-19, zyrtaret shqiptare u interesuan për shëndetin e tyre dhe të familjeve.
Rreth 500 ushtarakë shqiptarë dhe familjarë të tyre por edhe studentë që studiojnë në akademitë ushtarake në vendet e NATO-s, gëzojnë shëndet të plotë dhe vijojnë shërbimin e tyre në misionet e Aleancës apo përfaqësitë tona diplomatike. Xhaçka bisedoi me përfaqësuesin ushtarak shqiptar në NATO, gjeneralmajor Nazmi Cahani, përfaqësuesin shqiptar në Komandën Supreme të Forcave Aleate në Evropë, (Supreme Headquarters Allied Powers Europe, SHAPE) kolonel Petrit Çuni, atashetë ushtarakë shqiptarë në Itali e Greqi, përfaqësuesin më të lartë shqiptar në misionin e Resolute Support në Afganistan, si dhe me përfaqësuesen më të lartë ushtarake në misionin e KFOR në Kosovë.
Ministrja e Mbrojtjes u informua se kontingjentet shqiptare vijojnë shërbimin duke respektuar masat e reja kundër përhapjes së COVID-19, ndërkohë që 5 prej studentëve që studiojnë në akademitë ushtarake italiane janë kthyer në vendin tonë pas mbylljes së akademive nga qeveria italiane dhe aktualisht janë në vetëkarantinë në shtëpitë e tyre, pa asnjë simptomë. Studentët shqiptarë ashtu si edhe kolegët e tyre të huaj vijojnë ndjekjen e studimeve online.