Ushtria nis kontrollin për kanabis në 53 tunele
Ushtria ka zbritur në terren. Bëhet fjalë për kontrollin e 53 tuneleve, pronë e Ushtrisë, të cilët mund të përdoren nga trafikantët e drogës si vende për të fshehur drogën.
“Ky kontroll po ndërmerret edhe një herë në zbatim të Vendimit 248 të Këshillit të Ministrave, për parandalimin e mundësive për ushtrim aktivitetesh të paligjshme nëpër këto prona. Ky kontroll zhvillohet gjatë kësaj jave dhe do të përfshijë përmes një plani të saktë çdo pronë ish-ushtarake kudo që të jetë ajo. Vëmendja e qeverisë është maksimale dhe çdo veprimtari e jashtëligjshme do të marrë përgjigjen ligjore”, ka thënë Olta Xhaçka, Ministre e Mbrojtjes.
Për shkak të përhapjes së tuneleve në territore të vështira dhe me shtrirje në të gjithë territorin e vendin forcat tokësore përveç kontrolleve fizike dhe mbajtjen e procesverbaleve përkatëse shoqëruar me fotografi po bashkëpunojnë edhe me banorët e zonës, raporton Top Channel.
Kjo nismë vjen pasi pak ditë më parë në një tunel afër Tiranës, policia zbuloi 146 kg kanabis dhe 220 bimë kanabis. Tuneli ishte përshtatur më së miri nga trafikantët.