Vaji i ullirit në Shqipëri shitet lirë sepse nuk eksportojmë dot

Europa në krizë për çmimet e vajit, por mbiprodhimi po mbetet i gjithi në Shqipëri, duke i detyruar fermerët të shesin me çmime të ulëta. Lufta në Ukrainë, por edhe kushtet e motit, kanë krijuar mungesa të mëdha botërore në tregun e vajit vegjetal dhe këtë vit në Europë, vaji i ullirit po kushton 30-50% më shtrenjtë, sipas shifrave mesatare që raportojnë prodhuesit më të mëdhenj.

Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit, ku aderon edhe Shqipëria prej vitit 2019, çmimi për 100 kilogram vaj ulliri në fabrika në Spanjë është aktualisht rreth 471 euro, në Greqi 436 euro dhe në Itali 582 euro. Të gjitha çmime ndjeshëm më të larta se një vit më parë.

Përkthyer në litra, çmimi për vaj ulliri ekstra të virgjër varion në këtë mënyrë nga 4,7 euro, deri në 6,3 euro. Këtij çmimi më pas i shtohen kostot e ambalazhimit, transportit dhe fitimet e ndërmjetësve dhe tregtarëve, për të ardhur në supermarkete ndjeshëm më i shtrenjtë.

Eksportet e vajit të ullirit vitin e shkuar ishin vetëm 119 ton, për një vlerë prej 525 mijë eurosh. Ndërsa këtë vit për periudhën janar-tetor, eksportet kapën një peshë prej 115 tonësh, për një vlerë prej 620 mijë eurosh.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë destinacioni i gjysmës së vajit të eksportuar, ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Zvicra dhe Kanadaja. Ndërsa në vendet e Bashkimit Europian, që mund të ishin tregu kryesor, prodhuesit shqiptarë kanë shitur vetëm 3.5 ton apo 32 mijë euro vaj.

SHKARKO APP