Vajza del nga burgu, djemtë mbrohen: Gjoba, për dashurinë e të atit ndaj së bijës

Ka edhe shaka të tilla! Shuma prej 400 mijë euro që dy adoleshentë i kërkuan një biznesmeni në Tiranë nuk ka  pasur qëllime dashakeqëse, por thjesht për të vërtetuar sesa shumë e donte i ati vajzën e tij. Kështu të paktën ka pretenduar pala mbrojtëse sot në gjykatë, për dy adoleshent e arrestuar.

 Mirëpo, Gjykata e Krimeve të Rënda vendos të lërë në burg Orion Hoxhën dhe Kris Gjoren, përkatësisht 19 dhe 18 vjeç, të cilët inskenuan pengmarrjen e vajzës 18-vjeçare, Nensi Çobo. Qëllimi i pengmarrjes ishte shuma prej 400 mijë euro që ata synimin të merrnin në formë gjobe nga babai i adoleshentes, Laver Çobo, një biznesmen i njohur i mobilierive  në kryeqytet. Për vajzën që u përfshi në këtë histori, Nensi Çobo, gjykata e ka parë të arsyeshme ta lirojë duke caktuar si masë shtrënguese detyrim paraqitje.

Tre adoleshentët në sallën e gjyqit kanë shprehur pendesë për veprimin e tyre. Ata mësohet të kenë deklaruar se gjithçka ka nisur si shaka dhe shprehen keqardhje për shqetësimet që i sollën familjeve të tyre. Në përfundim të seancës gjyqësore avokatët e dy djemve ishin të pakënaqur me vendimin e gjykatës Iliriana Olldashi. Hysen Spahiu mbrojtës ligjor i Orion Hoxhës tha se, e gjithë kjo ishte bërë për të provuar dashurinë e babait për të bijën.

Sipas prokurorisë mëngjesin e të premtes së kaluar, Orioni është takuar me Krisin dhe kanë blerë një aparat telefoni dhe dy karta sim. Orioni rreth orës 11:00 ka takuar të dashurën e tij Nensi Çobo dhe e ka dërguar në një dhomë hoteli, si dhe i ka marrë telefonin e saj me vete, të cilin e ka fikur.

Rreth orës 12:00, Krisi në prezencë të Orionit, ka marrë dy herë në telefon të atin e saj Laver Çobo, duke i kërkuar 400 000 euro në këmbim të lirimit të vajzës së tij.

“Unë jam dikush që ka vajzën tuaj. Unë nuk kam asgjë personale me ju dhe e di që je njeri i mire, por unë jam në hall dhe më duhen 400.000 euro. Mos bëj asnjë tentativë të futësh policinë apo njerëz të tjerë në këtë punë”.

Por kjo gjë nuk është marrë seriozisht nga biznesmeni dhe 8 minuta më vonë ai ka marrë një tjetër telefonatë ku i është kërkuar që të japë paratë se kishte një hall të madh.

“Kam hall dhe ato lekët më duhen. Unë e di që ti i ke aq para. Mos fut njeri në këtë punë dhe as policinë”.

Pas kësaj Çobo ka verifikuar se vajza e tij nuk ndodhej në shtëpi dhe telefonin e kishte të fikur. Menjëherë i është drejtuar policisë ku edhe ka denoncuar ngjarjen. Në kohë rekord policia dhe prokuroria ka zbardhur ngjarjen dhe tre orë më vonë është bërë arrestimi i tre të rinjve.

Pas kallzimit policia ka patur dyshime se si ishte përfshirë Orion Hoxha dhe ka pyetur familjarët e tij. I vënë në dijeni të këtij fakti, Orioni ka shkuar dhe ka takuar vajzën 18-vjeçare, e cila priste në dhomën e hotelit dhe ka thënë që “…të shkonte në shtëpi sepse ishte bërë e madhe …”.

Kjo e fundit i ka telefonuar nënës së saj dhe polica ka kryer shoqërimin e më pas arrestimin e saj në flagrancë. Po ashtu policia ka kryer shoqërimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve Orion Hoxha dhe Kris Gjore. Të tre këta shtetas kanë pranuar faktet e mësipërme.

Në kushtet e mësipërme dyshohet se, të rinjtë kanë konsumuar veprën penale  të “shtrëngimit me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë.

SHKARKO APP