Vajza e Dritëroit: Donte të bëhej 90-vjeç, por nuk e kaloi dot sfidën

“E kur të jesh mërzitur shumë, në raft të librave kërko. Aty i fshehur do jem unë, në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë”. Me këto vargje të përziera nga emocionet, vajza e tij Elona kujtoi poetin dhe shkrimtarin e madh Dritëro Agolli në 90-vjetorin e tij të lindjes.

“Si lexuesja e parë e veprave të tij jam me fat të madh në jetë. Ndjehem e lumtur pasi ndjej një vëmendje, kujdes, respekt, dashuri për veprën e babait tim nga të shumtë. Nga ana tjetër kam dhe dhimbjen e trishtimin që nuk e kam në jetë. Në bisedat e pasditeve, kohët kur ai nuk ishte mirë me shëndet thoshte “dua dhe 5 vjet të roj, të kap 90”,-tha për ”Ora News”.

”90 e kishte si sfidën e tij, donte se s’bën. Për fat të keq nuk e kaloi këtë sfidë dhe ky është ai trishtimi im i madh që babi nuk mundi të ishte tani më në jetë dhe nga ana tjetër salla do të plotësohej më shumë nëse ai do të ishte aty i pranishëm. Ndjehej mungesa e tij fizike, sjell një boshllëk sado që rrethohemi me dashuri, fjalë për përjetësinë. Në përgjithësi vetëm dashuri, mahnitje, adhurim pas veprës dhe poezive të Dritëroit sidomos. Poezia është zhanër më i kollajshëm për t’u lexuar këtë kohë”,u shpreh vajza e Dritëroit.

Elmili, nipi i shkrimtarit thotë se ndihet krenar kur i thonë që i ngjan gjyshit ndërsa këshillat e Dritëroit i ka ende të gjalla.

“Kemi pasur një marrëdhënie shumë të afërt, kam marrë këshilla që i ka fiksuar për gjithë jetën. Këshilla mbi shoqërinë, familjen dhe këshilla të tipit që ka qenë një personalitet shumë i thjeshtë, por gjithashtu dhe një personalitet shumë i lartë. Ndërthurja e tij ka qenë shumë e veçantë dhe këtë mundohem ta trashëgoj edhe unë. Gjithmonë ka thënë krijo emrin tënd, bëhu dikush. Ndihem krenar që i ngjaj dhe shpresoj që t’i ngjaj edhe në jetë”.

SHKARKO APP