Vajza rome sajoi skandalin në spital, donte të martohej me infermierin

Një ditë pas skandalit seksual që shpërtheu në Spitalin e Elbasanit, hetuesit kanë krijuar dyshime mbi rolin e vajzës minorene që kallëzoi infermierin.  

Infermieri Everest Duka, i cili u ndalua një ditë më parë nga Policia e Elbasanit ka mohuar akuzat e ngritura për ngacmim seksual ndaj pacientes 16 – vjeçare, e cila ndodhej e shtruar në pavionin e nefrologjisë.

Pas arrestimit, 26 – vjeçari i pyetur nga hetuesit e çështjes mësohet të ketë thënë se akuzat e ngritura në adresë të tij janë shpifje dhe historia është sajesë e bërë nga e ëma e vajzës rome.

Të njëjtin deklarim infermieri që mbetet në qeli pas denoncimit, e ka bërë edhe gjatë përballjes me  16 – vjeçaren, duke hedhur poshtë pretendimet e saj.

Mësohet se Prokuroria dhe Policia e Elbasanit po administrojnë një tjetër provë që mund të japë më shumë detaje mbi një njohje të mëparshme mes infermierit dhe pacientes 16 – vjeçare.

Një korrespondencë që 26 – vjeçari dhe e vajza rome kanë patur në rrjetin social Facebook  në datat 25 dhe 27 korrik, pritet të merret si provë për të zbardhur sadopak të vërtetën e denoncimit.

Burime pranë grupit të hetuesve thonë se përmbajtja e bisedave ka qenë shantazhuese nga ana e minorenes, e cila që në moshën 13 -vjeçare ishte e fejuar. Prej pak kohësh i fejuari i saj ishte larguar drejt Gjermanisë për të fituar azil. Ajo mësohet t’i ketë kërkuar infermierit që të martohej me të, pasi kishte probleme me të fejuarin.

Ai që ka arritur të zbulojë i pari bisedat mes të miturës dhe infermierit ka qenë xhaxhai i saj. Kaq ka mjaftuar që vajza të pohonte përpara familjarëve të saj historinë, ndoshta të trilluar, që sipas saj infermieri Everest Duka kishte tentuar ta përdhunonte.

Bazuar mbi dëshminë e të miturës një ditë më parë familjarët e saj denoncuan infermierin në polici dhe ai u ndalua me akuzën “marrëdhënie  seksuale me dhunë me të  mitur, të mbetur në tentativë”.

SHKARKO APP